Sikundër dhe ishte lajmëruar një ditë më parë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme, pas thirrjes së organit të akuzës lidhur me padinë e ngritur ndaj tij nga KLD për deklaratat ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj.
Tahiri e bëri në këmbë rrugën deri tek Prokuroria. Edhe pse ishte thirrur në orën 11:00, ai mbërritu gjysëm ore përpara.
Në një prononcim për mediat, Tahiri tha se i ka qëndruar në Prokurori pikë për pikë deklaratave të mëparshme. Ai theksoi se do të vazhdojë të denoncojë çdo gjyqtar të korruptuar.
Tahiri: “Iu përgjigja thirrjes së Prokurorisë për të dhënë sqarimet e mia lidhur me deklaratat që kam bërë ndaj gjyqtarit Aliaj pas një kallzimi nga KLD.Sqarova në Prokurori se u qëndroj pikë për presje deklarimeve që kam bërë, sepse unë besoj se ka shumë nevojë për të parë në detaje dhe në mënyrë shumë të imët punën e çdo gjyqtari pavarësisht vullnetit që kemi ne për të respektuar vendimet e tyre.Nuk më ndalon kush të jap opinionet dhe vlerësimet e mia për vendime absurde gjykatash dhe gjyqtarësh që në atë detyrë janë për shkak të qokave poliktike dhe shërbimit që bëjnë ndaj të gjithë atyre që sot kanë kapur drejtësinë. Është bindja ime e thellë dhe besoj se nuk jam i vetmi. Cilado padi e Këshillit të Lartë të Padrejtësisë, e Këshillit të Lartë ose më saktë e Korporatës që drejton sot sistemin gjyqësor më të korruptuar në Europë, cilado padi nga kushdo gjyqtar mua nuk do më ndalojë në asnjë moment të them fjalën time”.
KLD kërkoi nga Prokuroria që Ministri të ndiqet penalisht për disa akuza në lidhje me kanosjen, fyerjen, intimidimin dhe denigrimi e gjyqtarit Arjan Aliaj dhe gjyqësorit në tërësi.
Ministri Tahiri e ka akuzuar gjyqtarin Arjan Aliaj për lirim të disa personave të dënuar për vepra të rënda penale, pasi ai vendosi të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakon, me kërkesë të Prokurorisë, që po heton për pajisjen italiane të përgjimit.























