Policia e Elbasanit dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan njoftuan arrestimin e 4 punonjësve të Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë se shkeljet për të cilat 5 punonjësit e Uzinës së Mjekësit akuzohen, kanë ndodhur përpara muajit shtator të vitit 2013. Dhe në fakt ka qenë vetë ministrja Mimi Kodheli që me ardhjen në detyrë bëri një sërë kallëzimesh penale, që nga shkeljet nëpër tendera, deri edhe te reklamat e famshme, ku implikohej edhe paraardhësi i saj Arben Imami. Kur të gjithë e kishin harruar ose mendonin se e gjitha ishte një flluskë sapuni, sot pas më shumë se 2 vitesh, Prokuroria dhe Gjykata e Elbasanit lëshojnë urdhërarreste për kryetarin dhe antarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në Uzinën e Mjekësit, duke përligjur dyshimet e ministres Kodheli. 4 punonjësit e arrestuar dhe drejtori i shpallur në kërkim janë të pafajshëm derisa të marrin një vendim të formës së prerë, por shkeljet për të cilat akuzohen 5 punonjësit e Uzinës së Mjekësit, tregojnë edhe nivelin e abuzimit në këtë institucion dhe nuk lënë vend për dyshime. Përse Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës duhet të tenderojë “Koncertin e trashëgimisë kulturore shqiptare?” Duket e pakuptueshme, aq sa duket e pabesueshme që kjo uzinë të ketë bërë me “kokën e saj” këtë tender. Dikush atje lart duhet ta ketë urdhëruar këtë tender, pasi nëse është zhvilluar realisht koncerti, kjo meriton një hetim më vete. Por “Koncerti i trashëgimisë kulturore shqiptare” nuk duket të jetë e vetmja bëmë e këtyre zyrtarëve. Në njoftimin e policisë flitet edhe për “sponsorizime të tjera të kryera nga Uzina Lëndëve Plasëse Mjekës”. Çfarë janë këto sponsorizime? Kush është sponsorizuar? Ç’punë ka një uzinë për lëndë plasëse, të bëjë sponsorizime, në një kohë që kjo uzinë ka pasur më shumë se kurrë nevojë për investime? Vetëm ky rast, në dukej periferik, mjafton për të kuptuar se ku kishte arritur abuzimi i asaj administrate, për të cilin koha duket se po i jep të drejtë Mimi Kodhelit.






















