Kryeprokurori Adriatik Llalla ka thirrur në takim drejtorin e SHISH Visho Ajazi Lika, kreun e Prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha dhe kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj në lidhje me hetimet për pajisjen përgjuese ilegale të policisë.
Llalla ka kërkuar që të njihet me hetimet për aparaturën ‘IMSI CATCHER’, me të cilën dyshohet se janë kryer përgjime të paautorizuara.
Kujtojmë se dy ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako u pezullua nga detyra me vendim Gjykate deri në një vendim të dytë.
Ka qenë SHISH disa muaj më parë që informoi se në territorin shqiptar ndodhet një pajisje ilegale përgjimi e ardhur nga Italia, e cila nuk është regjistruar. Sipas legjislacionit shqiptar, çdo pajisje e tillë duhet të deklarohet dhe të merret miratimi i Prokurorisë për përdorimin e saj, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur.
I pyetur para disa javësh nga grupi hetimor, kryepolici Çako pranoi se kjo pajisje nuk është përdorur vetëm për trajnim, por edhe për të identifikuar numra IMEI të celularëve.















