Problematika lidhur me Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Bajram Tushi”, Vlorë ka qenë sot në fokus të emisionit investigativ “STOP”.
Në këtë institucion janë në organikë 10 punonjës të cilët paguhen me pagë të plotë dhe konform rregullave. Por a funksionon kjo qendër kulturore, a zbatohen oraret? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, stafi i emisionit ka udhëtuar drejt Vlorës, për ta parë më nga afër. Pavarësisht orarit zyrtar të kësaj qendre, që është 09:00 – 14:00 dhe 14:00 – 17:00, stafi nuk rezulton në zyrë. Drejtori i kësaj qendre i pyetur në një intervistë lidhur me këtë problematikë dhe shumë të tjera, u shpreh se gjithçka në këtë qendër funksionon sipas rregullave. Por, kamera e “STOP” vërteton të kundërtën.
Gazetari: Kush është orari zyrtar i kësaj qendre kulturore?
Drejtori i QKF, Besjan Canaj: “Orari zyrtar i Qendrës Kulturore të Fëmijëve është 9 :00 me 12:00 dhe 14:00 me 17:00.”
Gazetari: Sa persona ka organika e kësaj qendre kulturore?
Drejtori i QKF, Besjan Canaj: “QKF ka 10 persona që janë të ndarë në sektorë të ndryshme, sektori i ndihmës, sektori i sportit, sektori i artit dhe sektori i shkencave.”
Gazetari: Për sa i përket këtyre 10 personave , a duhet të jenë në orarin zyrtar të punës, pasi ne sot kemi gjetur rreth 6 në orarin që ju sipërpërmendët.
Drejtori i QKF, Besjan Canaj: “Nuk është e thënë se duhet të jenë në zyrë, pasi vetë Qendra Kulturore e Fëmijëve është organizatore e aktiviteteve që duhen të lëvizin shkollë më shkollë, duhet të organizojnë me instruktorët e tyre. Absolutisht çdo gjë është me rregull, me regjistra, me dokumentacion me të gjitha.”
Gazetari: Po për sa i përket sigurisë, në çfarë ore mbyllet me çelës kjo Qendër Kulturore e Fëmijëve të Vlorës ?
Drejtori i QKF, Besjan Canaj: “Normalisht orari është 17:00, por nuk ka gjëra fikse, pasi janë edhe kurset e valleve.”
Gazetari: Kur mbyllet saktësisht me çelës?
Drejtori i QKF, Besjan Canaj: “Mund të shkojë dhe ora 18:00, tani që zgjatet koha zhvendosen edhe oraret e kurseve sepse orari i drekës nuk të favorizon për zhvillimin e kurseve.”
Por, pavarësisht pretendimit të Drejtorit lidhur me sigurinë e kësaj qendre, stafi i emisionit ka kontrolluar rreth orës 22:00 gjendjen, ku dera e këtij institucioni ka rezultuar e hapur dhe siguria e këtij institucioni, zero. /tvklan/
















