
Engjëllushe Nakuçi, drejtoresha e Zyrës Arsimore Çorovodë
Drejtoreshat e këtyre kopshteve pranojnë se janë lidhur kontrata dy javore me edukatoret. Ato thonë se edukatoret janë penalizuar se nuk kanë marrë pjesë në portalin e vitit 2016, ndërkohë që nuk e kanë detyrim ligjor. Drejtoresha e Kopshtit Numër “1”, Eneida Hoxha, thotë se edukatoret nuk e kanë firmosur kontratën, për këtë arsye ndaj tyre është mbajtur një procesverbal. Gjatë ballafaqimit edukatorja e mohon një gjë të tillë. Kurse sipas Zyrës Arsimore Çorovodë, nuk ka probleme të tilla dhe nuk ka asnjë edukatore që nuk ka firmosur. Gjithashtu sipas Drejtorisë Arsimore të këtij qyteti, nuk pranohet fakti se ka edukatore pa grup fëmijësh .Drejtoresha e këtij institucioni, Engjëllushe Nakuçi, shprehet se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë ndërkohë që drejtoresha e kopshtit, “5 Shtatori”, Dallëndyshe Xhaferraj, pohon se ka një edukatore pa grup. Kjo edukatore është e emëruar dhe për më tepër , me probleme të shëndetit mendor. Ajo thotë se ka edhe nga ato që i përmbushin kriteret dhe nuk janë emëruar, por së shpejti ato do emërohen.
Ky problem nuk ekziston vetëm në qytetin e Çorovodës por shtrihet edhe në fshatrat e Skraparit , shumica e tyre janë të paemëruara dhe kontratat bëhen në kundërshtim me ligjin.
Gazetarët e “Fiksit”, të sinjalizuar edhe për edukatoren me probleme të shëndetit mendor, e cila nga edukatoret dhe nga vetë drejtoresha e kopshtit u pohua se është e emëruar por pa grup, u interesuan për rastin konkret. Edukatorja kurohej herë pas herë në institucionet e të sëmurëve të shëndetit mendor dhe rikthehej sërish në punë. Drejtoresha e kopshtit thotë se pavarësisht se ajo ka shfaqur disa probleme të vogla shëndetësore, ajo ka sjellë një raport mjekësor me të cilin vërteton se është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo shton gjithashtu se e ka gjetur në punë dhe si e emëruar që është nuk mund ta largojë nga puna.
Për raportin e lëshuar nga mjeku psikiatër, mjeku Ali Islamllari (në foto) pohon se ajo ishte shtruar në psikiatri, por e ka lëshuar këtë raport sepse e telefonuan nga Tirana dhe i kanë thënë se ajo duhet të kthehet në punë.
Doktori Islamllari pranon fajësinë e raportit të firmosur prej tij që pacientja është klinikisht shëndosh, ndërkohë që ajo sipas tij, ka një çrregullim bipolar. Dokumenti që ai ka firmosur është i vlefshëm deri në vitin 2017.















