Me rastin e 5 Majit, zyrtarë të shtetit dhe politikës kanë zhvilluar homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Ata vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën antifashiste.
Opozita ka qenë e para që ka zhvilluar homazhet tek Varrezat e Dëshmorëve. Kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha deputetë dhe kryebashkiakë janë përulur me nderim në shenjë respekti ndaj të rënëve në çdo periudhë për lirinë dhe ardhmërinë e vendit.
Më pas, kreu i opozitës Lulzim Basha është shprehur se “sot përulemi me nderim para dëshmorëve të kombit që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë e Kosovës. Ata dhanë jetën edhe për vlerat e shenjta”.
“Sot kujtojmë sakrificën më të lartë për atdheun dhe kombin, flijimin e dëshmorëve të kombit në luftërat që shqiptarët kanë zhvilluar për lirinë e Shqipërisë, lirinë e Kosovës, të drejtat e tyre në Maqedoni e Luginën e Preshevës. Nderojmë heronjtë, bijtë dhe bijat e këtij kombi. Përulemi me nderim të thellë para atyre që dhanë jetën për vlera të shenjta, për lirinë nga krimi nga terrorizmi. Përulemi para bijve dhe bijave që dhanë jetën nën uniformën e forcave të armatosura”, tha Basha.
Sipas tij, e sotmja është edhe një ditë reflektimi, reflektimi i PD-së para gjakut të dëshmitarëve është beteja jonë deri në fitore për një Shqipëri të lirë, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni. Lavdi përjetë dëshmorëve të kombit”, deklaroi Basha.
Pritet që sot paradite, Varrezat e Dëshmorëve të vizitohen nga kreu i qeverisë Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta.E. S/Shekulli Online/














