Jurgen Kurti dhe daja i tij Leonard Ristani kanë pranuar për hetuesit se u konfrontuan me viktimën Artur Kurti dy ditë më parë, ku 50-vjeçari mbeti i vdekur si pasojë e plagëve me thikë.
Djali i viktimës, Jurgen Kurti ka shpjeguar momentet se si ka ndodhur krimi në familje. I pyetur nga grupi hetimor, ai thotë babai i tij qëlloi dy herë me thikë dajën Leonard Ristani dhe më pas u nis me makinë që ta dërgonte në spital. Gazeta ‘Panorama’ ka zbardhur dëshminë në polici të Jurgen Kurtit dhe dajës së tij.
“Babai goditi dajën dy herë në trup dhe ai ra në tokë. Më pas u ngrit dhe u drejtua t’i merrte thikën babit nga dora. U përleshëm të dy me të. Nuk e di me saktësi se cili nga ne e goditi pasi i morëm thikën nga dora, por e pashë që u plagos rëndë dhe u rrëzua. E kam lënë aty të plagosur rëndë, nuk e dija se ka vdekur dhe u nisa të dërgoj dajën me makinë në spital”, thotë Jurgeni. Më pas 23-vjeçari është shprehur se gjatë rrugës me makinë është shkëmbyer me një patrullë policie, i ndaloi dhe u tregoi se çfarë kishte ndodhur.
Kurse kunati i viktimës, i pyetur nga hetuesit në QSUT ku ndodhet i shtruar për mjekim, thotë se u përlesh me 50-vjeçarin Artur Kurti pasi tentoi t’i vriste motrën. Por, ai pranon pjesërisht se e ka goditur me thikë duke e lënë të vdekur, megjithëse nuk është i sigurt.
Krimi në familje ndodhi për shkak se bashkëshortja e viktimës i kërkonte divorcin pasi i kishte zbuluar një lidhje jashtëmartesore me një vajzë të re. Por, viktima nuk e pranonte këtë fakt dhe disa ditë më parë e kishte dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht.















