Policia nisi hetimet pas denoncimit të motrës së viktimës
Efektivat e policisë lokale po punojnë për kapjen e shtetasve SH. M. dhe G. S., banues të dy në Elbasan
Pas identifikimit të Zyra Hidës, si gruaja e vrarë në 1997 në Amsterdam, Policia e Elbasanit ka nisur hetimet për të zbuluar personat që e trafikuan atë, ndërkohë që ka shpallur në kërkim dy të dyshuar. Procedimi penal është regjistruar bazuar në kallëzimin e familjarëve, për motrën e ish–bashkëshortit të saj, D. Bani dhe një grua që për herë të fundit është parë me viktimën në Itali. Në deponimet e bëra nga djali i viktimës, Shpëtimi dhe motra Xhuljana, është përmendur edhe emri i ish–bashkëshortit Petrit Bani. Ai aktualisht jeton në Mal të Zi dhe policia kërkon ta marrë në pyetje.
Identifikimi dhe dy të kërkuarit
Lidhur me rastin, Policia e Elbasanit bëri me dije zyrtarisht se mbi bazën e informacioneve të marra nga media vizive, mbi një lajm të transmetuar në lidhje me vrasjen e një shtetaseje nga qyteti i Elbasanit, e ndodhur në vitin 1997, në qytetin e Amsterdamit në Holandë, ajo u identifikua nga familjarët si Zyra Hida, e datëlindjes 1966, banuese në Elbasan, e larguar nga banesa në vitin 1995. “Pas kësaj, specialistët e sektorit kundër trafiqeve të paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, menjëherë nisën hetimin dhe rezultoi se viktima nga viti 1995 deri në vitin 1997 ishte trafikuar drejt Italisë dhe më pas në Holandë me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion. Efektivat e policisë po punojnë për kapjen e shtetasve SH. M. dhe G. S., banues të dy në Elbasan”, deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë në Elbasan. Ndaj tyre janë referuar materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Tiranës për veprën penale “Trafikim i personave” parashikuar nga neni 110/a i Kodit Penal.
Historia e zhdukjes, dyshimet e motrës
Dy ditë më parë, Xhuljeta Hida u shpreh për mediat se motra e saj ishte shitur për 1 milion lekë të vjetra nga ish–bashkëshorti, në vitin 1995. Hetimi është regjistruar për veprën penale të trafikimit për prostitucion, me pasojë vdekjen. Në kontaktet e fundit me familjarët, Zyra Hida kishte dërguar edhe një fotografi, në të cilën shfaqej me një person të njohur me emrin “Titi”. Ajo u kishte thënë familjarëve se bashkëjetonte me të në Romë dhe se ai ishte nga Fieri. Nisur nga ky fakt, nën drejtimin e Prokurorisë, pritet që autoriteteve italiane t’u dërgohet letër-porosi për informacion rreth këtij personi, por edhe rreth gruas që është parë për herë të fundit me viktimën. E njëjta kërkesë do t’u drejtohet edhe autoriteteve holandeze. Zyra Hida u identifikua 19 vjet nga vrasja në Amsterdam, pasi një grup gazetarësh holandezë të televizionit “SBS” erdhën në Shqipëri dhe arritën të gjenin familjen e saj. Nëna e tre djemve ka një histori shumë të dhimbshme. Sipas së motrës, Xhuljeta Hida, ajo është martuar që kur ishte 14 vjeçe në fshatin Muriqan të Cërrikut. Por gjërat nuk kanë shkuar mirë. Mes çiftit ka pasur grindje të vazhdueshme e për pasojë ka ardhur edhe divorci. Më pas janë ribashkuar dhe kanë qëndruar te shtëpia e motrës së burrit në një lagje periferike të Elbasanit. Këtu e ndjera është përballur me një realitet edhe më të hidhur, pasi është rrahur, është keqtrajtuar, është përbuzur nga bashkëshorti dhe njerëzit e tjerë të tij. Ka bashkëjetuar njëkohësisht me gruan e dytë të bashkëshortit, ku ka ndarë një krevat me të. Ajo u kthye sërish te bashkëshorti, ku dhe nisën planet për t’u trafikuar në Itali. Xhuljeta Hida fajëson nënën dhe një nga vëllezërit e saj në këtë histori. Ajo pohon se nuk do t’i falë kurrë gjatë gjithë jetës, pasi mendon se ata ishin shkaktarët që Zyraja u largua. Familja kërkon nga shteti që të ndihmojë në ardhjen e eshtrave për të kryer varrimin në Elbasan.















