Tension në protestën e organizuar kundër ngritjes së parkut të lojërave, brenda territorit të parkut të Liqenit Artificial në Tiranë. Protestuesja Mimoza Boçari, dhunohet nga një efektiv policie. Pezullohet nga detyra punonjësi, në komisariat përfundojnë 11 persona. Reagimet politike për çështjen dhe qëndrimi i bashkisë për projektin
Vendi ku është parashikuar të ngrihet një kënd lojërash për fëmijët, kthehet në arenë proteste e dhune.
Dhjetëra qytetarë të Tiranës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, u përplasën me forcat e policisë gjatë paradites së djeshme, teksa ishin duke protestuar kundër ngritjes së këndit të lojërave, brenda zonës së pyllëzuar dhe të mbrojtur në liqenin artificial në Tiranë.
Fillimisht protestuesit kanë nisur shembjen e gardhit rrethues dhe në ato momente, disa punonjës të policisë ndërhynë për të larguar protestuesit.
Kaq ka mjaftuar që situata të agravojë, sidomos në momentin kur u mor urdhri që të shoqëroheshin forcërisht disa nga organizatorët e protestës.
Ngjarja më e rëndë u regjistrua kur një efektiv policie goditi me plot forcë, me shuplakë, një protestuese.
Ajo është Mimoza Boçari, një protestuese e përhershme, në çdo qeveri. Zonja me profesion mjeke kirurge, që iu bashkua edhe grevës së urisë së PS-së, kur opozita e atëhershme protestonte për hapjen e kutive të votimit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009.
Ajo, në tentativë për të larguar nga duart e policit një protestues, i heq kapelen punonjësit të rendit dhe më pas ai i kundërpërgjigjet duke e goditur me shuplakë në fytyrë dhe nuk ndalet me aq, por e tërheq nga flokët.
Protestuesit janë kundër ngritjes së parkut të lojërave në hapësirën e liqenit artificial, pasi sipas tyre kjo do të shkaktonte dëme të shumta si në prerjen e pemëve, ashtu edhe në betonizimin e pjesës së gjelbër.
Ndërsa nga ana e saj, Bashkia pretendon se këndi i lojërave që do të ngrihet, nuk shkatërron mjedisin dhe se do të përdoren materiale ndërtimi që janë në harmoni me ambientin.
Në këtë kakofoni reagimesh, edhe për shkak edhe të një moskonsultimi më parë edhe me ambientalistë, ka çuar në protestën e djeshme që u mbyll me tension, dhunë e reagime.
Drejt komisariatit nr. 1, u shoqëruan 11 persona, mes të cilëve edhe e dhunuara.
Ata do të hetohen në gjendje të lirë, për tri akuza, të grumbullimit të paligjshëm, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës publike.
Përplasjet vijuan për gati një orë, më pas aktivistët e zhvendosën qëndrimin e tyre drejt Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet protestës, për të kërkuar anulimin e këndit të lojërave.
Por qëllimi i aktivistëve ishte lirimi i të ndaluarve dhe për këtë arsye iu drejtuan ambienteve të komisariatit numër 1 në kryeqytet.
I pranishëm në komisariat ishte edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, që është interesuar për të shoqëruarit dhe ka parë nga afër të gjitha procedurat e ndjekura që nga shoqërimi dhe deri në marrjen në pyetje të protestuesve.
Kjo ishte një protestë krejt civile, por që me kalimin e minutave ka agravuar deri në përdorim të forcës.
Efektivi i policisë që qëlloi mbi protestuesen Boçari, është pezulluar menjëherë nga detyra, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Për të ka nisur procedim disiplinor, për tejkalim të kompetencave gjatë ushtrimit të detyrës. I pari që reagoi ishte Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që dënoi si dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë, ashtu edhe reagimin e ashpër të efektivit Kristaq Papajorgji.
“Nisur nga protesta e orës 11:00, te Parku i Madh i Liqenit Artificial, ku ishin mbledhur rreth 100 persona, ku ne media online është publikuar një video, ku një punonjës policie godet në fytyrë një protestuese, Drejtori Vendor i Policisë Tiranë, ka pezulluar nga detyra punonjësin e policisë dhe ndaj tij ka nisur procesi për shkelje të rëndë disiplinore, si dhe ka filluar procedim penal në gjendje të lirë ndaj shtetases M.B., për veprat penale kundërshtim të punonjësit të policisë , pjesëmarrje në protesta e organizime të paligjshme dhe goditje për shkak detyrës” -thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së kryeqytetit, në lidhje me ngjarjen.
Dhunën e ushtruar nga uniformat e policisë, e ka dënuar edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Totozani thotë se dhuna është e patolerueshme në çfarëdolloj rrethane, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të policit që ushtroi dhunë ndaj qytetares.
Po ashtu, Totozani u bëri thirrje qytetarëve që të protestojnë qetësisht.
Protesta po kthehet në çështje, pasi që në fillim, një pjesë e mirë e shoqërisë civile ishin kundër ndërhyrjeve brenda zonës së parkut dhe kjo sipas tyre mund t’u hapë rrugë ndërtimeve të tjera.
Bashkia: Grupe vandalësh që orkestrohen nga PD-ja
Teksa nga komisariati ishin liruar të gjithë protestuesit që u shoqëruan, Bashkia e Tiranës ka reaguar për çështjen, duke e konsideruar protestën si të orkestruar nga Partia Demokratike. “Një grup i vogël njerëzish, me veprime vandalësh, u përfshinë në dëmtime masive të pronës publike, të pronës së përbashkët të të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke sulmuar e prishur objekte, për të penguar sërish punimet për Parkun e Lodrave të Fëmijëve. Të udhëhequr nga eksponentë të Partisë Demokratike, për të disatën herë kanë dëmtuar pronën e qytetit, duke krijuar dëme materiale dhe vonuar punimet për të ofruar një shërbim të munguar, që është një ëndërr e fëmijëve të qytetit, por edhe e prindërve, gjysheve, gjyshërve tanë” -reagoi zyrtarisht Bashkia e Tiranës. Ndërkohë ajo aludon se personat që protestojnë, apo të tjerë që janë kundër ngritjes së parkut, janë në minorancë në krahasim me pjesën tjetër që kërkon një kënd lojërash modern. “Janë të njëjtët njerëz, që për 4 vjet e lanë qytetin të dergjet në plehra, rrugë e trotuare të degradojnë, ndriçimin e qytetit dhe të vetë parkut të shuhet, që lanë lokalet të mbijnë si kërpudha në të gjithë hapësirën e parkut, ata që deri dje e hëngrën parkun e Tiranës nga të gjitha anët, që nuk mbollën asnjë pemë e që s’lanë pemë pa hedhur përtokë, që hapën gropa për pallate shumëkatëshe, të cilat ende i qajnë që iu mbetën veç gropë, sot veshin petkun e dashnorëve të pemëve dhe që sot, duke servirur informacione të pavërteta, duke trumbetuar tmerre të paqena, duan me çdo kusht që Parku i Lodrave për Fëmijët të mos mbarojë” -shprehen burimet zyrtarë të bashkisë së kryeqytetit. Në përfundim të deklaratës, Bashkia e Tiranës thotë se aspiratat e qytetit nuk mund të pengohen nga vandalët e zhurmshëm. “Bashkia e Tiranës mbetet e vendosur, për t’iu shërbyer çdo ditë qytetarëve dhe për të sjellë projekte që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës. Aspiratat e qytetit, nuk mund të pengohen nga vandalët e zhurmshëm”.
PD: Dhuna u urdhërua nga Rama dhe Veliaj
Partia Demokratike akuzoi dje kreun e qeverisë Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, se kanë urdhëruar policinë të dhunojë qytetarët që protestojnë kundër ndërtimit te parku i liqenit. Partia më e madhe opozitare, ka dalë në mbështetje të protestuesve dhe kërkoi lirimin e personave që u shoqëruan në polici. “Partia Demokratike dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj të rinjve, ndaj të moshuarve, ndaj burrave e grave të Tiranës, që kanë dalë në mbrojtje të pasurisë së tyre, kanë dalë në mbrojtje të Parkut të Liqenit. Kjo dhunë e shëmtuar burracakësh, është urdhëruar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, për të mbrojtur aferën korruptive të ndërtimit të paligjshëm. Partia Demokratike mbështet qëndresën e shoqërisë civile dhe qytetarëve të Tiranës” -thuhet në njoftim. Ndërsa duket se nuk do e lënë vetëm në kuadër të reagimeve mediatike, pasi sytë i hodhën nga organi i akuzës. “Partia Demokratike kërkon hetim të menjëhershëm nga prokuroria dhe vënie para ligjit të policëve që kanë ushtruar dhunë, si dhe eprorëve të tyre. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të qytetarëve që janë shoqëruar në polici. Protesta e qytetarëve të bashkuar në mbrojtje të pasurisë publike, jo vetëm nuk ndalet, por do të përshkallëzohet deri në ndaljen e oligarkut lokal të Edi Ramës, mashtruesit të korruptuar Erion Veliaj. Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, të bashkohen nesër në orën 10 para Bashkisë dhe më pas në marshimin e protestës drejt Parkut të Liqenit.” – përfundon deklaratën e saj Partia Demokratike. Tashmë çështja e ndërtimit të këndit të lojërave për fëmijë, pranë parkut të liqenit artificial, gradualisht po kthehet në çështje. Kjo edhe për shkak të daljes së situatës jashtë kontrollit nga ana e policisë, që në disa raste nuk kursyen as dhunën mbi protestuesit.
















