Përralla muzikore për fëmijë “Xheku dhe kërcelli i fasules” mblodhi në sallën e Universitetit të Arteve fëmijë edhe të rritur. Pianisti Endri Nini, së bashku me ensamlin e tij interpretuan pjesë nga kompozitorë të ndryshëm si: Felix Mendelson Bartholdy, Gustav Mahler dhe Richard Strauss. Nuk ndodh shpesh që në ambientet tona kulturore fëmijëve t’u kushtohet kaq rëndësi, prandaj aktorja dhe muzikantët do të mbeten gjatë në kujtesën e fëmijëve, për atmosferën dhe gjendjen që krijuan tek ata. Aktorja, Ema Andrea, teksa lexonte përrallën angleze, arriti t’i çonte fëmijët në një realitet tjetër. Endri Nini, i cili aktualisht jeton dhe punon në Gjermani na tregon më tepër për këtë risi. Pianisti mendon se fëmijët duhet të mësojnë se çfarë efektesh dhe emocionesh të përcjellin instrumentet kur luan në to. Prandaj, sipas tij, qëllimi i këtij koncerti ishte që muzikantët jo vetëm të luanin vepra muzikore, por edhe t’i njihnin fëmijët më instrumentet.
Endri, rikthehesh në Tiranë për një përrallë muzikore. Por sa të rëndësishme kanë qenë (apo janë) përrallat për ty?
Përrallat mbartin një moral dhe kode të cilat në vetvete kanë integruar arketipet e instikteve themelore të gjithë njerëzimit. Prandaj dhe ato kuptohen deri në shoqëritë më të largëta (gjeografikisht) të vendit të origjinës. Për mua është shumë interesante deshifrimi i këtyre kodeve që të arrijë të zbërthej moralin e fabulës, që jo gjithmonë është i vetëkuptueshëm. Për këto ide sigurisht që unë nuk kam qenë koshient në fëmijëri, por jam bërë me kalimin e kohës. Prandaj dhe mund të them që akoma vazhdoj t’i besoj shumë përrallës. Nëpërmjet projektit “Wunderkind” ne u munduam që të sjellim dritë nëpërmjet muzikës dhe aktrimit mbi përrallën “Xheku dhe kërcelli i fasules” dhe të zbërthejmë sadopak moralin që ajo mbart.
Si kanë qenë fillimet tuaja në muzikë?
Kam qenë vetëm pesë vjeç kur kam pasur kontaktet e para me pianon. Prandaj mund të them se, pianoja që prej asaj kohe është dashuria ime. Më vonë ime më kishte dëshirë që unë të studioja jashtë. Nisëm që të shihnim shumë vende, për të mësuar se cila do të ishte shkolla më e mirë ku unë mund që të studioja. Pasi bëra kursin e pranimit për jashtë fitova.
Nëse nuk do të ishe bërë pianist çfarë drejtimi do të kishte zgjedhur?
Kur kam qenë i vogël nuk mbaj mend se kam pasur dëshirë për diçka tjetër, veçse për pianist. Por mbaj mend që një periudhë mendoja të isha arkitekt, më pas më pëlqente të bëhesha diplomat. Por pas kaq vitesh jam shumë i lumtur që jam këtu ku jam. Njëzet vite më parë bëheshin shumë sakrifica, prandaj jam shumë mirënjohës që bëj këtë punë, që më ofrohet një jetë e dytë.
Çdo të thuash me një jetë të dytë?
Këtu mund të bëj një paralele me profesionin e aktorit. Ashtu siç aktori përveç jetës së tij personale ka dhe rolin të cilit ai i jep jetë, po e njëjta gjë mund të thuhet dhe për muzikantin, i cili si material të një roli muzikor ka vetëm një tekst (notacion). Dhe nëse ky tekst mbetet nëpër libra apo arkiva atëherë ke të bësh me një krijesë në arkivol. Pra muzikanti interpretues risjell në jetë një vepër muzikore. Për mua është e pamundur të them se ku mbaron njëra jetë dhe ku fillon tjetra pasi ato janë pazgjithmërisht të lidhura me njëra-tjetrën. Vetë fakti që unë them që janë dy jetë, të bën të mendosh që unë di të përcaktoj kufijtë, po unë sinqerisht them që nuk e di. Di vetëm them që janë dy jetë reale dhe jo virtuale.
Nëse rikthehesh në kohë si të kujtohet viti 1997?
Kam qenë për një koncert në Athinë. Pikërisht atë javë kishim koncertin dhe kur donim që të ktheheshim nuk ishte e mundur. Aeroporti nuk punonte. Nëse do ta krahasoja ishte si te “Përralla të moçme”, sepse mbaj mend që kur jam kthyer studioja në dritare, mbuluar me batanije. Ishte shumë e vështirë. Në atë periudhë ajo mënyrë e të jetuarit mbrapa batanijes me dukej si një lojë normale. Kur i rikthehem asaj periudhe, sidomos dhe pas ngjarjeve të fundit në Paris, them se afër rrezikut jetojmë. Është vetëm një fije peri që na ndan nga katastrofa dhe ajo batanije nuk ka asnjë vlerë.
Çmimet zënë një vend të rëndësishëm në karrierën tënde. Por çfarë rëndësie kanë për ty?
Nëse do më pyesje para dhjetë apo njëzet vjetësh do të thosha se kanë shumë rëndësi, por meqë po më pyet tani duhet të të them se nuk janë gjithçka. T’i duhet që të arrish që t’i bësh të lumtur të gjithë, por e mira nuk është gjithnjë relative, në këtë sfond është diçka shumë e mirë, por që nuk më bën domosdoshmërisht të lumtur. Sigurisht që është një reklamë shumë e mirë.
Rikthehesh shpesh në Shqipëri?
Vij pak a shumë dy herë në vit për projekte muzikore, por edhe për pushime.
Çfarë ndryshimesh të bien në sy?
Ndryshimet në Shqipëri janë të mëdha, përsa i përket hapjes së informacionit, që është shumë i madh. Kjo më impresionon, sepse ka një energji të jashtëzakonshme të të bërit të gjërave. Më vjen pak keq që çdo gjë artistike është e përqendruar në Tiranë, por që besoj në Shqipëri përgjithësisht kjo është ajo që ndodh.
Biografia
Endri Nini (1984) u lind në Tiranë. Ka studiuar për piano në Karlsruhe, Londër dhe Hannovër dhe ka marrë mësime nga pianistë të famës botërore si:Aldo Ciçolini, Andras Schiff dhe Stephen Kovacevich. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe çmimin e tretë në konkoursin international të pianos “Ile de France” në Paris në vitin 2009. Në të njëjtin vit ai mori çmim nga Fondacioni Solti në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka realizuar koncerte në Athinë, Londër, Vjenë, Berlin, Romë, Hamburg, Krakov, Frankfurt etj., por ka dhënë edhe shfaqje si solist me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, Orkestrën Filarmonike të Baden-Baden, Orkestrën e Akademisë së Arteve në Tiranë, Orkestrën e Dhomës Karlsruhe dhe Orkestrën e Dhomës të Tiranës. Endri Nini ka performuar në festivale si: Annecy, Prusisë Kovi, Holland Music Sessions, Franche-Comte, Chamber Hanover etj. Ai ka luajtur me instrumentistë të shquar botëror si: Sabine Meyer, Gustav Rivinius, Ingolf Turban dhe William Bennet. Ka kryer regjistrime për Radio Tirana, Südwestrundfunk dhe Radio Semnoz në Francë. Endri Nini ka fituar bursa nga Alfred-Toepfer-Stiftung, DAAD dhe Villa Musica-Stiftung. Aktualisht jeton dhe punon në Hanover të Gjermanisë.


















