Një Grup i qytetarëve, kryesisht aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë protestuar sot (e premte) në Gjakovë kundër vizitës së pelegrinëve serbë, që kishin ardhur në kishën ortodokse në Gjakovë, me rastin kremtimit të festës se tyre të quajtur “Festa e Zonjës së Bekuar”, raporton KTV.
Në momentin e daljes së pelegrinëve nga kisha, protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe ndërsa në momente të caktuara janë konfrontuar me pjesëtarë të policisë së Kosovës.
Protestuesit kanë brohoritur “Serbia s’mund të kalojë”, ndërsa në një transparent shkruante “Nuk ka pajtim pa drejtësi”.
Megjithatë, pas përfundimit të protestës, komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj, ka thënë se gjithçka ka shkuar sipas planifikimit dhe në mënyrë të qetë, me përjashtim të arrestimit të dy personave, pjesë e grupit protestues.
Bashkë me pelegrinët serbë nga Beogradi, aty ishin edhe zv.kryeministri i Kosovës , Branimir Stojanoviq, dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.
Mediet e Beogradit raportojnë se një grup shqiptarësh të pakënaqur kishin shpërthyer kordonin e policisë në Gjakovë, kishin hedhur petarda mbi vizitorët serbë dhe kishin hedhur ngjyrë të kuqe mbi policinë.
Sipas Radiotelevizionit të Serbisë, serbët që kishin ardhur në Gjakovë për një festë të tyre janë siguruar nga forca të mëdha policore. Po sipas këtij burimi, policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë shpërndarë, ndërsa serbët e kanë lënë Gjakovën dhe kanë shkuar drejt Manastirit të Deçanit, të shoqëruar nga policia.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për shtyp, e ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka ndërhyrë brutalisht ndaj qytetarëve dhe aktivistëve të lëvizjes në Gjakovë, të cilët po protestonin kundër vizitës së ministrit nga Lista “Srpska” për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.
“Gjakova është një nga qytetet që ka pasur më së shumti viktima e dëme nga pushtuesit serbë në luftën e fundit, ndërsa ka po ashtu numrin më të madh të të pagjeturve”, thekson Vetëvendosje.
Kjo lëvizje njofton se policia e ka arrestuar ndërohë në Istog aktivistin e Vetëvendosjes, Denis Ibërdemaj, për shkak të shkrimit të parullave kundër “Zajednicës”.
“Çdo përpjekje për ta kundërshtuar projektin e Serbisë në Kosovë, po shtypet me dhunë nga policia e Isa Mustafës”, thuhet në komunikatë.
















