Nga Agim Nesho
U bë një vit nga samiti i Berlinit për bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor dhe takimi i radhës po zhvillohet në Vjenë, nën kryesinë e Austrisë. Një vit më parë, qeveria shqiptare e paraqiti samitin si një kthesë të madhe në rrugën e integrimit europian, ku Ballkani Perëndimor nën mbështetjen e Gjermanisë do të përshpejtonte hapat në rrugën e gjatë të bashkimit me BE. Të shumtë ishin ata që thoshin se kryeministri Rama i kishte mbushur mendjen Gjermanisë se duhej të ndodhte kjo iniciativë dhe zonja Merkel kishte bërë përzgjedhjen e saj në lidershipin ballkanik.
Për të mos i dhënë përmasa të pabesueshme, u plotësua me idenë e boshtit serbo-shqiptar, Rama-Vuçiç, që do të ishin promotorët e ndryshimeve të pritshme ballkanike. Kjo iniciativë u fry nga ana propagandistike si kthesa e madhe, për t’iu dhënë shpresë vendeve ballkanike se kriza europiane nuk do të kishte më impakt negativ, por investimet dhe financimet e BE-së do të na nxirrnin nga impasi dhe varfëria.
Aq me kujdes u ndërtua kjo propagandë dhe aq vlerësim iu dha disa liderëve populistë të Ballkanit, sa edhe deklarata e përgatitur nga qeveria shqiptare fillonte me shprehjen “Ne liderët demokratikë të zgjedhur të Ballkanit Perëndimor…”, duke përdorur solemnitetin e ngjarjeve historike ose të dokumenteve bazë të Kushtetutës amerikane, ose Kartës së OKB-së, me të vetmin ndryshim, që ato iu referoheshin popullit “We the people” dhe jo liderëve të tyre.
Sot, pas një vit pritshmërie dhe shprese, më tepër nga serioziteti gjerman sesa nga angazhimi dhe vizioni i liderëve tanë, po përjetojmë një situatë të njohur. Fillojmë nga fillimi: do luajmë një ndeshje futbolli.
Nga bashkëpunimi ekonomik te pajtimi
Gjermania sot është një nga shtyllat e Europës dhe vendi më i fuqishëm i kontinentit europian. Angazhimi i saj në rajonin e Ballkanit ishte një shtysë e fortë për vendet e Ballkanit Perëndimor ne projektin e tyre të vonuar për integrimin europian, sidomos pas qëndrimeve pritëse të BE-së për të shtyrë procesin e zgjerimit të vendeve të Ballkanit edhe për një periudhë 5 vjeçare.
Lëvizja e Gjermanisë u komentua si marrja përsipër e rolit udhëheqës në Europë duke pasur vizionin për të ruajtur unitetin dhe stabilitetin evropian, në kushtet e reja të krijuara nga agresioni Rus në Ukrainë. Lënia në harresë e një rajoni problematik si Ballkani Perëndimor, historikisht ka krijuar probleme që në shumë raste kanë qenë me dimensione shkatërruese.
Politikat e Gjermanisë nëpërmjet “shkopit dhe karotës” ishin mënyrat e Gjermanisë për të kontrolluar rajonin, mbajtur atë afër BE dhe shmangur influencat ekonomike e politike të fuqive rajonale si Turqia, Rusia dhe Kina si dhe strategjive të tyre për tu shtrirë në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Mesdhe.
Investimet gjermane do të ishin pjesë e atyre projekteve evropiane për zhvillim energjetik dhe ndërtim në infrastrukturë, të cilat bënin të mundur integrimin e vendeve ne Bashkimin Europian. Në njëfarë mënyre, e njëjta gjë, por e servirur ndryshe.
Në këtë periudhë njëvjeçare zhvillimet ballkanike mbeten në zhvillimet e tyre tranzicionale. Në Maqedoni përplasja ndër-etnike dhe mosfunksionimi demokratik i institucioneve çoi në zgjedhjet e parakohshme të prillit 2016. Shqipëria me vështirësi ekonomike, ku jo rrallë institucionet ndërkombëtare vërejnë probleme me shtetin ligjor, prezencën e oligarkisë të inkriminuar por edhe me një administrim ku vërehen mos-eksperiencë, prepotencë dhe korrupsion. Serbia dhe Mali i Zi, ku investimet Ruse po shtrihen gjithnjë e më tepër, vazhdojnë të flirtojnë midis lindjes dhe perëndimit.
Dhe duke mos dalë nga ky realitet problematik, retorikat nacionaliste rikujtojnë që konfliktet nuk kanë marrë fund. Prandaj edhe Europa, në mosbesim të plotë, i kthen tek loja e futbollit, taktikë për të afruar, hequr streset dhe bashkëpunuar me frymën e ekipit, por në të njëjtën kohë duke iu rikujtuar liderëve të Ballkanit se mbeten peng i së shkuarës dhe e kanë të vështirë të bëhen pjesë e vizionit për të ardhmen.
Azilkërkuesit dhe dështimi i qeverisjeve
Konferenca e Vjenës zhvillohet në kohën kur kriza e azilkërkuesve në Europë po merr përmasa shqetësuese. Ajo që është më shqetësuese është fakti që së bashku me emigrantët nga Afrika, Siria, Lindja e Mesme, është shtuar në mënyrë alarmante lëvizja nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Europa dhe Gjermania janë në alarm për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme brenda konsensusit evropian. Ajo që bën surprizën e madhe është fluksi i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia drejt vendeve të BE.
Shtypi gjerman e vlerëson këtë situatë si dështim të qeverisjes në këto vende, ndërsa qeveritarët ballkanikë përpiqen si gjithmonë të justifikojnë të pajustifikueshmen. Duke marrë parasysh sensibilizimin e madh të kësaj çështje në politikën evropiane, Samiti i Vjenës do të jetë një takim ku de facto problemi i azilkërkuesve do të jetë një nga pikat më të nxehta të diskutimeve. Sado të justifikohen liderët e Ballkanit Perëndimor se ky është një problem teknik, për shkak të krizës ekonomike evropiane, influencës së Grexit, kriteret e Gjermanisë për statusin e azilkërkuesit, apo lodhjes nga pritshmëria “për të mos humbur një dekadë tjetër”, kjo situatë flet qartë për një krizë të thellë në vendet Ballkanike, mungesë të shpresës tek popullsia gjithnjë e më e varfëruar, mungesën e një vizioni qeverisës për të ardhmen.
Konsolidimi i demokracisë funksionale kundrejt stabilitetit
Për vetë historinë dhe problematikën e gjerë që Ballkani ka treguar, Europa dhe SHBA gjithmonë janë prirur të gjejnë formulat për të arritur stabilitet dhe qëndrueshmëri në Ballkan. Në fillimet e tranzicionit, liderët karizmatikë të këtij rajoni kontrollin orekset nacionaliste dhe konfliktet etnike. Sistemi demokratik qëndronte si alternativë e zgjedhjes popullore pas shkatërrimit të diktaturës komuniste, por pushteti varionte në forma autoritariste, klienteliste që fuqizonte një kastë të caktuar pranë liderit të fortë.
Lufta politike për pushtet mbetej agresive se ishte e vetmja mënyrë për të garantuar pasurimin dhe kontrollin e vendit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar lulëzojnë në mungesë të institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës. Krijimi i oligarkëve të rinj, të pasuruar me klientelizmin e pushtetit bëjnë të pamundur ndryshimin e elitave. Ballkani Perëndimor sot ndeshet me problemet e funksionimit të demokracisë. Por këto fenomene bëhen të dukshme vetëm kur krizat ballkanike, si kriza e azilantëve, eksportohen dhe tronditin Europën. Pse kancelaritë evropiane nuk reagojnë kur politika në Shqipëri është e inkriminuar dhe elemente me të shkuar kriminale marrin pjesë në parlament dhe qeverisin pushtetin lokal me bekimin e liderëve të tyre?
Pse në Maqedoni nuk mbahet qëndrim nga institucionet ndërkombëtare kur të drejtat e njeriut nëpërkëmben nga shteti policor që gjeneron urrejtje etnike dhe dhunë, por stepen përpara presioneve për prishje ekuilibrash gjeostrategjikë? Pakti i Gjermanisë dhe BE-së me Ballkanin Perëndimor nuk mund të qëndrojë vetëm në investimet dhe ndihmën ekonomike pa ndaluar seriozisht në problemet e mprehta të demokracisë dhe luftën kundër oligarkëve. Lufta për konsolidimin e demokracisë funksionale, fuqizimin e shtetit të së drejtës duhet të mbetet prioritet kryesor i BE-së, përpara se të avancojë çdo iniciativë rajonale. Vetëm kështu vendet ballkanike do të kuptojnë që Bashkimi Europian është një sistem vlerash dhe jo një pasaportë për liderët ballkanikë.















