Duke vlerësuar rëndësinë që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për vendin tonë,Policia e Shtetit është angazhuar totalisht, duke marrë dhe zbatuar masa konkrete për ruajtjen e rendit publik në të gjithë territorin e vendit, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të drejtat e subjekteve elektoralepjesëmarrëse në këto zgjedhje.
Për këtë proces zgjedhor do të jenë në gadishmëri 6.699 punonjës policie në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Tiranë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
“Theksojmë faktin se gjatë zhvillimit të këtyre takimeve elektorale nuk është shënuar asnjë incident i rëndë apo ngjarje kriminale, por gjatë kësaj periudhe që përfshin fushtatën elektorale janë evidentuar dhe referuar në prokurori 21 raste që kanë të bëjnë kryesisht me grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyraveelektorale” deklaroi numri 2 i policisë së shtetit.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për përmbushjen me sukses të detyrave për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, konkretisht të 90 KZAZ, dhe 5.299 Qendrave të Votimit, ku do të angazhohen 5960 punonjës policie.
Pas përfundimit të procesit të votimit policia do të marrë në mbrojtje Vendet e Numërimit të Votave në të gjithë qarqet, duke filluar nga ora 18:00 e ditës së sotme deri në përfundim të procesit të numërimit të votave.
Masa konkrete janë marrë edhe për të siguruar që të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar me detyra gjatë këtij procesit zgjedhor të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
















