Nga Rudolf Marku
Është një çast tek “Macbeth”-i cili gjithmonë më ka mahnitur me shumëplanshmërinë e vet-kuptimore, emocionale, figurative, dhe sidomos të asaj që nuk kuptohet, por ndjehet…Ditët e fundit që e pashë “Macbeth”-in, në skenën e Teatrit “Globus”, m’u kujtua përnjëherë ai përfytyrimi misterioz që më pushtonte sa herë që lexoja veprën shakespeariane kur vjen skena e vrasjes së Mbretit Dunkan dhe më vonë porositja e vrasjes së Bankos dhe të birit të tij, Fleance. Në fakt, nuk ishte skena e vrasjes, as ai monologu i kalimit të Macbeth-it nga një njeri që ka ende shkëndijën hyjnore të dashurisë dhe të mëshirës, (kur ai është prapë në gjendje të thotë “the gracious Dunkan” dhe më vonë “the damnation of his taking off”)- në një monstër vrasës, dhe nuk janë as dhe vetë tre vrasësit profesionistë- është diçka tjetër. Janë trokitjet në derë që ndjekin vrasjen e Mbretit Dunkan që më mahnitnin, që më shtinin një frikë të pakuptueshme adhuruese, por dhe një kureshtje mahnitëse të cilën nuk arrija ta kuptoja nga vinte. Tak-tak. Tak-Tak. Kush është? Kush?…( Macbeth: Who’s there? What who! Akti i dytë, Skena e dytë; dhe më vonë po në atë vend, prapë Macbeth-Whence is that knocking?). Në skenën e tretë të Aktit të Dytë shfaqet një portier, i cili brenda një monologu jo shumë të gjatë përsërit 12 herë fjalët Trokit, troket, trokitje: Here’s a knocking indeed!( Knock) Knock, knock, knock…E prapë më poshtë: Knock. Knock, knock, knock. Who’s there?) Është momenti kur zemra e Macbeth-it tkurret, ftohet, metamorfizohet: është momenti kur ai duhet të shtiret, të aktrojë, të fshehë qëllimin e mbrapshtë; është momenti kur Lady Macbeth është quajtur-unsexed– një qenie pa seks, pa gjini, një ish-grua që ka harruar se ka lindur grua; është momenti kur është bërë krimi i tmerrshëm dhe po porositet te vrasësit profesionistë krimi tjetër, vrasja e Bankos dhe e të birit të tij: Bota, jeta e zakonshme njerëzore duket sikur për një çast është ndalur; çdo gjë duket sikur ka rënë të flejë ose është e përgjumur, e shushatur; vetë bota duket gati një botë ireale, një kohë kur të vdekurit mund të dalin dhe të komandojnë të gjallët. Është koha kur krimi ka pushtet mbi legjitimitetin, mbi pafajësinë; krimi që nuk ndalet para vrasjes së Mbretit Dunkan (Mbreti Dunkan është mbreti legjitim, është jo vetëm i pafajshëm, por dhe në të drejtën e vet; dhe po ashtu dhe miku i dikurshëm i Macbeth-it, Banko, dhe i biri, Fleance, -sidomos ky i fundit-që është vetë personifikimi i pafajësisë). Po të flasim me gjuhën moderne, është koha për të vrarë, është koha e gangsterëve, është koha e krimit në pushtet, është koha e urdhrave për vrasje (Macbeth-i, menjëherë pas vrasjes së Mbretit Dunkan, i porosit dhe i urdhëron vetë, personalisht, vrasësit për vrasjen e Bankos dhe të Fliancit- Fleance, po aq lehtësisht sa ç’mund të porosiste online njeriu modern një pica); është koha për të vendosur dinamit ose çfarëdo lloj eksplozioni; është koha kur pushteti legjitim, le të themi, i votuesve, grabitet nga politikanët gangsterë, nga super të korruptuarit, nga vrasësit profesionistë, nga të pandjeshmit cinikë; nga injoranca në pushtet; është koha sublime e luftës për pushtet, është koha e vrasjeve-nuk kanë rëndësi dhe aq mjetet- me thikë, me shpifje, me denigrime, me fushata, me manipulime, me kallashnikov….Nuk ka rëndësi – të djathtë, të majtë, të qendrës. Shakespear-i, për fatin tonë të keq, nuk na jep asnjë informacion për këtë…. Pikërisht kur dhe spektatorët shqiptarë do të fillonin të hamendësonin pozicionin majtas a djathtas të Macbeth-it, pikërisht në këtë kohë fillojnë edhe trokitjet: Tak- Tak,Tak-Tak. Kush është? Kush?…Çfarë duan këto trokitje? Cili është kuptimi i tyre? Trokitja në derë në shfaqjen e Macbeth-it në Teatrin Globus është një trokitje e lehtë, por që ndjehet më qartë se gjëmimi i një rrufeje, sepse është një trokitje që vjen papritur pas një heshtjeje të çuditshme, mistike, të frikshme, diç-ndjellëse (po që askush nuk e di se çfarë është ajo që ndjell)…Tak-tak. Kush është? …Vetë trokitjet në derë paralajmërohen nga një sens hataje dhe njëkohësisht solemniteti…Përnjëherë pas krimit që është kryer dhe pas porosisë së krimit që do të kryhet ndodhë ajo pauzë e shkurtër, plot enigmë, që i mban shpirtrat e shikuesve si të varur në një çengel hutimi, shprese (Shpresë? Çfarë shprese?). Gjenialiteti i bardit të Madh e di se një krim gjykohet nga normaliteti i jetës, edhe atëherë kur nuk duket asnjë gjurmë e normalitetit. Ai e di se shkëndija hyjnore është e shpërndarë te të gjitha qeniet njerëzore. Ai na paralajmëron se vrasja nuk bëhet vetëm me thikën e Macbeth-it. Vrasja dhe vrasësit, në të kundërt janë antinatyra – xhelozitë, mospranimi i tjetri, anilihimi i tjetrit, urrejtja, ambicia, hakmarrja, mpirja e kujtesës historike-dhe, do të shtonim- njohja e varfërisë së tjetrit pa të bërë syri tërr, lavdërimi i gangsterit politik, eksodi i njerëzve të pashpresë, vrasja e vetë shpresës, manipulimi dhe tallja me pritshmërinë e asaj që në të vërtetë nuk do të vijë kurrë. Dhe, menjëherë pas krimit, ja ku vjen dhe trokitja. Tak-tak. Një trokitje që sikur vjen nga thellësitë e Ferrit, thotë portieri që sjell çelësat e portës. Është ajo trokitje e vetëdijes që dukej sikur nuk ekzistonte, e asaj vetëdijes që duket sikur është asgjësuar. Është pulsimi i jetës, është pulsimi i normalitetit, është pulsimi i legjitimitetit, është pulsimi i frymëmarrjes së Mbretit Dunkan pas vdekjes së pabesë, por është dhe pulsimi i asaj shkëndijës hyjnore që është shpërndarë te qeniet njerëzore, përmes zemrës, përmes Mirësisë, përmes së Bukurës, përmes Artit, përmes librave që shkruhen, përmes forcës së dashurisë që kokëfortësisht nuk pranon që të japë frymë…Trokitja është pauza për të na kujtuar se gjithmonë jo larg nga skena e krimit është pafajësia, është e bukura që e gjykon krimin.
Në një qytet francez, një pllakë buzë rrugës së një sheshi që flet për pushkatimin e ca luftëtarëve të rezistencës gjatë Luftës në vitin 1944, i qëndron përballë, në anën tjetër të rrugës, një pllakë përkujtimore e poetit më idilik mes gjithë poetëve, Lamartinit…Fare pranë me kampin e Buchenwald-it qëndron vetë Kopshti i Goethe-s (Gëtes), ndërsa në fqinjësi me Sheshin ku patën djegur Zhanë d’Ark ndodhet shtëpia e Corneille (Kornej-it)…Mes pllakës së ekzekutimeve dhe pllakës së Lamartinit, mes Kopshtit të Gëtes dhe Buhenvaldit, mes turrës së druve ku digjet heroina e shenjtë e Francës dhe Kornejt, është Trokitja. Tak- Tak. Kush është? Ajo trokitje të cilën e dëgjojmë çdo ditë në jetën tonë të përditshme, duke na ftuar mirësisht që ta deshifrojmë.
















