Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku nuk është optimist se kur do te mund Kosovës t’i liberalizohen vizat, madje ai, nuk ka mundur te thotë nëse kjo do te ndodh edhe pas një viti.
Ne një intervistë në “Rubikon” të KTV ai ka thene se po angazhohen maksimalisht për ketë proces dhe Kosova do t’i përmbush të gjitha kushtet e kërkuara deri në muajin maj të këtij viti dhe pas kësaj do të mbetet në duart dhe vullnetin e BE-së i terë procesi.
“Nëse edhe një vit nuk liberalizohen vizat, unë them se nuk ka kuptim edhe me tutje të angazhohemi në këtë proces, dhe madje nuk do të na mbetet shumë angazhim, BE mund të kërkoj kushte pas kushteve, por ne kushtet bazë i kemi arritur apo jemi në fund të arritjes se tyre dhe kësisoj nuk ka kuptim që liberalizimi të mos ndodh” ka thënë Çollaku.
Ky i fundit nuk ka shfaqur optimizëm nga takimet e realizuar me zyrtarët e BE-së sa i takon këtij procesi. “Kam pasur shumë takime, të gjithë prej tyre përmendin aspektin teknik, por unë them se këtu është në pyetje aspekti politik dhe jo shumë ai teknik” ka potencuar Çollaku. Ndryshe Kosova është i vetmi vend i rajonit i cili akoma nuk gëzon te drejtën e lëvizjes pa viza për në vendet e BE-së.















