Shoferi – Pas ballafaqimit, Tom Doshi ka qëndruar edhe një orë para hetuesve. I ka dhënë telefonat dhe numrat e përdorur. Në prokurori është paraqitur edhe shoferi i Doshit, Klodian Mema. Ky i fundit mësohet se është dëshmitar që Frroku dhe Doshi janë takuar me njëri-tjetrin në muajin gusht
Kamerat – Do të bëhen edhe veprime që janë marrja e pamjeve nga kamerat e sigurisë në një hotel në Tiranë, në të cilin Tom Doshi pretendon se ka takuar deputetin Mark Frroku. Do të merren tabulatet e telefonit të deputetit Tom Doshi, i cili pretendon se është telefonuar kur ishte jashtë vendit nga deputeti Mark Frroku
Një nga dy deputetët e Qarkut të Shkodrës, Tom Doshi dhe Mark Frroku, rrezikon të merret i pandehur. Hetimet për çështjen “Doshi” vijuan dje me një sërë veprimesh, ku më kryesori ka qenë padyshim ballafaqimi i Doshit me Frrokun. Prokuroria e Krimeve të Rënda i thirri për dëshmi dhe, nëse nuk do të paraqiteshin, atëherë ata do të merreshin forcërisht. “Çelësi” i këtij procedimi penal, sipas hetuesve, është pikërisht një telefonatë mes dy deputetëve, ku Doshi pretendon se ka pasur një bisedë me kolegun e tij Frroku, ndërsa ky i fundit e ka mohuar këtë telefonatë, madje edhe dijeninë për atentatin e pretenduar. Dje, dy miqtë janë bërë armiq, teksa kanë shkëmbyer edhe fjalë thumbuese para oficerit Joni Keta. Ky i fundit kishte të njëjtat pyetje për të dy, nisur edhe nga dëshmitë e mëparshme, ku Frroku ka qenë mjaft i prerë dhe me përgjigje të shkurtra: i përmbahem dëshmisë së parë. Me frikën e ndryshimit të dëshmisë, çka do të sillte edhe ngritjen e menjëhershme të akuzës, Frroku, me vështrimin nga oficeri, deklaroi se nuk ka dijeni për këtë atentat.
Blindohet prokuroria
Prokuroria kërkonte me ngulm këtë ballafaqim, për të vendosur se cili prej tyre gënjen. I pari që është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka qenë deputeti i Pukës, Mark Frroku. Ai është paraqitur në orën 11:44, duke përdorur hyrjen e pasme të organit të prokurorisë. Me një automjet Audi të tipit të fundit, të blinduar, Frroku është futur në oborrin e akuzës dhe më pas në zyrën e oficerit Joni Keta, ashtu siç edhe ishte fletëthirrja. Gjashtë minuta më vonë, në prokurori u paraqit edhe Tom Doshi. Automjeti i tij shoqërohej nga dy makina policie, ndërsa në një “Hamer” ishin edhe disa miq të tij. Nën masa të larta sigurie, Doshi u fut në prokurori në orën 11:50, në drejtim të zyrës së hetuesit Joni Keta. Ndryshe nga Frorku, deputeti i Shkodrës u fut nga dera kryesore e akuzës, duke shmangur përballjen me ish-mikun e tij, apo edhe ortakun në biznes.
Përballje e tensionuar
Në ambientet e prokurorisë, të dy u ulën përballë një prokurori dhe një hetuesi, ndërsa ata shpjeguan të “vërtetat” e tyre, megjithëse janë të ndryshme. Të dy, nëse do të ndryshonin thëniet, rrezikonin që të merreshin të pandehur për “dëshmi të rremë”. Më e komplikuar ka qenë situata e Frrokut, i cili i druhej edhe ndonjë reagimi të Doshit. Ky i fundit pretendonte se ka qenë pikërisht Mark Frroku ai i cili e ka lajmëruar se një person donte ta vriste, madje ai e kishte prezantuar me “vrasësin” Durim Bami. Sërish Doshi tha se i qëndron këtyre thënieve, ndërsa radha për përgjigje i kishte ardhur pikërisht Frrokut, i cili nga hetimet e deritanishme për vrasje është edhe pika “0”. Ashtu si dhe para pak ditësh, Frroku tha se “nuk di asgjë për organizimin e një atentati për Tom Doshin dhe Durim Bamin nuk e njoh”. Deklarata u bë në sytë e Tom Doshit, i cili ka reaguar menjëherë, duke i kërkuar llogari për këtë “gënjeshtër”. “Mark mos gënje, më ke telefonuar dhe jemi takuar në muajin gusht të këtij viti” i ka thënë Doshi, duke i kërkuar të thotë të vërtetën. Por, deputeti i zgjedhur nga votat e qytetit të Pukës nuk i ka kthyer përgjigje Doshit, por hetuesve të çështjes. “Nuk di asnjë gjë për këtë atentat të pretenduar nga Doshi”.
Tabulatet telefonike
Pas përballjes, i pari që është larguar nga prokuroria ka qenë Mark Frroku. Deputeti Doshi ka qëndruar edhe 60 minuta, ku mësohet se ai u ka treguar hetuesve edhe telefonatat me Mark Frrokun. Prokuroria ka sekuestruar telefonat dhe i ka marrë numrat e telefonit me të cilët ka pasur komunikim me Mark Frrokun. Prokuroria thotë se do të analizojë tabulatet telefonike mes Doshit dhe Frrokut. Deputeti Tom Doshi ka thënë se Mark Frroku e kishte njoftuar për planin e vrasjes në telefon, teksa ai gjendej në Budva të Malit të Zi, ndërsa pas daljes nga prokuroria, të dy thanë se u “përmbahemi deklarimeve të mëparshme”.
Çfarë rrezikojnë
I gjithë ballafaqimi mes Doshit dhe Frrokut, i cili ka zgjatur dy orë, nuk ka qenë aspak i qetë. Mësohet se të dy kanë pasur tone të larta, teksa si Doshi ashtu edhe Frroku, i kanë qëndruar deklarimeve të mëparshme të dhëna në Prokurori. Doshi ka deklaruar publikisht se Frroku jo vetëm e kishte prezantuar me Bamin, por edhe e kishte vënë në dijeni se një tjetër person po e ndiqte, si pjesë e një plani për eliminimin e tij. Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është parë edhe avokati i Durim Bamit, por mësohet se ai nuk ka qenë pjesë e ballafaqimit.
Deri më tani, procedimi penal ka filluar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë, ndërsa me zhvillimet e fundit, akuza mund të ndryshojë veprën penale. Nisur edhe nga deklarimet e fundit, ku pothuajse të gjithë dëshmitarët kanë dalë kundër Doshit, deputeti shkodran rrezikon të hetohet për mashtrim. Akuza thotë se Doshi mund të ketë mashtruar me trillimin e kësaj historie, ndërsa në ngritjen e kësaj akuze mund të merret për bazë edhe dëshmia e Ramës, Tahirit apo edhe Metës. Por edhe Mhill Fufi, Agim Rama, apo edhe personat e tjerë të përmendur, kanë mohuar të jenë të përfshirë apo edhe të jenë implikuar në këtë “komplot”. Nga ana tjetër, nisur edhe nga përballja me Doshin, edhe deputeti pukjan rrezikon të hetohet për dëshmi të rremë para organeve të drejtësisë. Ai mund të akuzohet edhe për mashtrim, nëse vërtetohet se ai ka pasur një telefonatë me Doshin. Duket se prokuroria është afër një vendimmarrje, ku pas pyetjeve të personave të përfshirë dhe verifikimeve të tabulateve do të marrë një vendim. I vetmi “përgjegjës” deri më tani është Durim Bami, i cili po qëndron në qeli, ndërsa thotë se ka gënjyer në video si pasojë e “pagesës” nga ana e Tom Doshit. s.ç
















