Suedia e përkrah liberalizimin e vizavepër Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit, pavarësisht rritjes së numrit të azilkërkuesve nga Kosova gjatë muajve të fundit. Kështu iu shpreh kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, i cili ndodhet për vizitë në Kosovë.
Kryeparlamentarin suedez, Ahlin, i cili shoqërohet ndër të tjerë edhe nga deputeti me origjinë nga Kosova, Adnan Dibrani, u prit sot nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit.
Të dy homologët biseduan për raportet e mira që parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare, posaçërisht në fushën e komisioneve dhe të administratave.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e njoftoi kryeparlamentarin Ahlin edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, me punën në procesin e liberalizimit të vizave, përpjekjet për njohje të reja dhe anëtarësim në një varg organizatash ndërkombëtare.
















