“Më shumë dihet për lumenjtë e Amazonës, sesa për rrugët ujore të Ballkanit në Europë. Por, këto sisteme unike në juglindje të Europës shumë shpejt mund të zhduken së bashku me speciet e tyre si rrëqebulli i Ballkanit, nëse ndërtohen mbi 2 mijë diga, siç është planifkuar nga autoritetet përkatëse”.
Kështu e nis artikullin investigativ e përditshmja britanike “The Guardian”, e cila paralajmëron se ndërtimi i hidrocentraleve po vë në rrezik lumenjtë e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Institucionet e Perëndimit kanë financuar miliona dollarë për ndërtimin e digave në Ballkan, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë vendet e varfëra të dalin nga kriza energjitike”, shkruan “The Guardian”, duke specifikuar se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është në prag të anulimit të një projekti me vlerë 65 milionë euro në parkun kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, pas kritikave të vazhdueshme të ambientalistëve për zhdukjen e mundshme të rrëqebullit tëBallkanit.
Përmes dokumentave, gazeta ka ngritur alarmin edhe për ndërtimin e qindra hidrocentraleve dhe rrezikun që ata sjellin në vendin tonë.
“Në lumin e Vjosës po tentohet të ndërtohen 8 diga nga kompani të huaja. Qeveria shqiptare po përpiqet në mënyrë private t’iu rezistojë këtyre tentativave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaron për The Guardian se në 6 muajt e parë të detyrës si kryeministër nuk kalonte ditë në zyrën e tij pa marrë një telefonatë nga kompani shqiptare, europiane apo amerikane që kërkonin të ndërtonin hidrocentrale në Shqipëri”, shkruan “The Guardia”.
Duke cituar ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri të thotë se të gjithë duan të ndërtojnë një digë në Shqipëri. Vitin e kaluar, investimet e huaja në këtë sektor përbënin pothuajse 10% të PBB-së të vendit, shkruan gazeta, duke thënë se kreu i qeverisë aktuale i ka kërkuar disa prej këtyre institucioneve, si BERZH, që të financojnë ndermarrjet e vogla bujqësore në vend të hidrocentraleve, por ato hezitojnë.
“Në Kalivac, një digë arriti në stad të avancuar para se polemikat të ndalnin progresin e saj, duke lënë pas sasi të mëdha betoni në brigjet e lumit”, vijon gazeta.
Ekspertët e zonës thonë se projekti i HEC-it të Kalivacit ka shpyllëzuar 56 hektarë dhe se ndërtimi i tij mund të shndërrohet në një kërcënim për gjithë.
Me dokumente dhe të dhëna të detajuara the Guardian shkruan se janë planifikuar të ndërtohen 435 diga në Shqipëri, 400 në Maqedoni, 400 në Bullgari, 700 në Serbi, më shumë se 100 në Bosnjë dhe 100 të tjera në Hungari, 70 në Mal të Zi dhe më shumë se 50 në Slloveni. Në Shqipëri, licencat e lëshuara të digave kapin vlerën e 1.8 miliardë eurove investime.















