Pjesë nga libri i Arben Cicit “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920”
Nga Arben Cici
Vitet e para të Monarkisë u karakterizuan nga një stabilitet dhe qetësi sociale dhe qeveria mbretërore ishte përfshirë në një eufori të përgjithshme. Por qetësia relative e viteve 1928-1930 filloi të zëvendësohej me tronditje në stabilitetin e brendshëm të Shqipërisë dhe me një ftohje, të pasuar nga acarim në rritje në marrëdhëniet shqiptaro-italiane, acarim që do të zgjaste vite me radhë. Ky acarim do të jetë i përmasave të tilla që, në pamjen e jashtme do krijonte përshtypjen sikur Shqipëria ishte kthyer në një vatër të rrezikshme në Evropë. Kriza ekonomike që mbërtheu Evropën në këto vite lëndoi rëndë edhe ekonominë shqiptare. Ekonomia e Shqipërisë ishte e papërgatitur për të përballuar pasojat e ndërlikuara të një krize të tillë. Së pari, keqësimi i faktorëve atmosferikë ndikoi në rrënjën e prodhimit vendas për pasojë edhe të eksporteve të prodhimeve bujqësore. Paralelisht, faktorët e jashtëm të krizës ekonomike botërore, nacionalizimi ekonomik i rreptë i zbatuar nga vendet e tjera (vendosja e tarifave të larta doganore, dumpingu rus), shkatërruan eksportet shqiptare dhe kufizuan në mënyrë drastike burimin e një pjesë të konsiderueshme të ardhurash për buxhetin e shtetit. Në këtë periudhë u dobësuan ndjeshëm edhe burimet e tjera të të ardhurave të shtetit, përfshi këtu edhe dërgesat në të holla të emigrantëve, eksportimi i valutave të huaja dhe kredia e SVEA-s. Momente negative përshkruan marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me shtetet e tjera evropiane. Ndërkaq aktiviteti ekonomik i Italisë në Shqipëri kishte zhgënjyer pjesën më të madhe të zyrtarëve shqiptarë dhe të popullsisë për faktin se nuk kishte dhënë atë rezultat që aq shumë ishte trumbetuar.
Me kurorëzimin e Zogut me titullin “Mbret i Shqiptarëve” ishte mbyllur faza e parë e depërtimit italian në Shqipëri, depërtim që për vitet në vazhdim nuk do të paraqiste elementë të tjerë rinj, veçse në formë. Ardhja në fron e Zogut, ndërkohë që siguronte mbrojtjen e deklaruar nga qeveria e Romës,kishte përforcuar edhe autonominë formale të pushtetit të tij. Krijimi i mbretërisë shqiptare ishte etapa përfundimtare e asaj politike që erdhi në fuqi në vitin 1925 e që kishte synuar të fuqizonte regjimin e Zogut dhe të vendoste në një barazi formale marrëdhëniet italo-shqiptare. Megjithë tendencat dhe opinionet e ndryshme në Pallatin Chigi, në vitin 1928, opinioni përcaktues i politikës italiane ndaj Shqipërisë, ishte ai ndjekur deri tani, i dëshiruar nga Musolini dhe i zbatuar në terren nga Sola. Politika e Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme ndaj Shqipërisë deri në atë kohë, në pjesën më të madhe të saj, kishte pasur një linjë veprimi disi moderuese me prirje më tepër të zbuste shpejtësinë e veprimeve sesa t’i përshpejtonte ato. Për të nënvizuar barazinë formale midis Italisë dhe Shqipërisë, në Romë pëlqehej të krahasoheshin marrëdhëniet italo-shqiptare me ato italo-portugeze. Pauluce i krahasonte me marrëdhëniet anglo-egjiptiane. Vetë Sola komentonte, në mundësinë për t’i dhënë Zogut një pagë vjetore sepse anglezët konsiderojnë si princ vasal jo atë që i paguan atribute kurorës mbretërore, por atë që mbahet nga kurora”. “Mund të shihet në restaurimin, në të njëjtën kohë një manovër për të forcuar influencën e Italisë, e cila i impononte Zogut ngulimin e saj në Shqipëri, dhe një masë kujdesi e Zogut për t’u çliruar sado pak nga kjo influencë”. Por Lojacono, me mbështetjen e Sorangas, ishte gjithmonë skeptik ndaj Zogut, s’kishte hequr dorë nga bindjet e tij në politikën ndaj Shqipërisë; të njëjta në thelb por të ndryshme në formë, nga ato të Musolinit. Ky grupim politik italian, edhe pse shikonin tek Zogu një faktor të favorshëm për të sotmen, ndoshta edhe për të ardhmen, jepnin eventualitetin se politika ndaj Shqipërisë mund dhe duhet të ndryshojë. Që në fillim, ishte paralajmëruar qartë nga Lojacono, koncepti i zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike italo-shqiptare, me fjalë të tjera krijimi i bazës ekonomike të ekspansionit fashist në vendin e vogël përtej Adriatikut. Në një relacion drejtuar Grandit, në atë kohë Ministër i Punëve të Jashtme, ai analizonte: “Në thelb, ne kemi zhvilluar në Shqipëri dy ofensiva të mëdha, edhe pse konvergjente dhe të përkohshme. Njëra, ofensivë metodike, në bazë të së cilës ka shifra, llogaritje. Kjo ofensive mund të quhet një morsë. Ofensiva tjetër, energjike, me bazë marrëveshjet politike që kanë patur kulmet me aleanca dhe bashkëpunime. Kjo veprimtari ka nxjerrë në plan të dytë, ofensivën e parë, morsën. Por s’do të ishte e kujdesshme të braktisej morsa. Që ta shtrëngoje menjëherë këtë morsë do të ishte një veprim i pamatur, përderisa ekzistonte aleanca dhe bashkëpunimi, por që ta lejosh të ndryshket do të ishte një akt pakujdesie”. Më poshtë ai vazhdonte: “Nevojitet kështu, jo vetëm që të pengohet çdo iniciative financiare e huaj. “Mbreti Zog është lidhja midis pozitës sonë të sotme në Shqipëri dhe asaj që mund ose duhet të kemi nesër. Është ai, leva që duhet të vëmë në lëvizje për të zgjidhur problemet tona të ardhshme, ndërkohë, duhet që të mbahet gjendja e debitorit të Qeverisë shqiptare ndaj SVEA-s, dhe që Banka e Shqipërisë të vazhdonte “të thithte flori nga xhepat e shqiptarëve”. Nevojitet, në perspektivën e afërt, të mos ndalet aty ku është arritur, pra në prag të mandatit të heshtur” por të vazhdohet pa hezitim, sepse “me Shqipërinë“ sot provohet aftësia e ekspansionit dhe vullneti i Italisë fashiste që të këtë edhe ajo perandorinë saj. Rruga perandorake kalon nga Shqipëria dhe, s’mund të flitet për etapa të mëvonshme dhe qëllime të tjera, në qoftë se etapa e parë që është Shqipëria nuk realizohet”. “Kjo pra, është prova e zjarrit për Italinë fashiste dhe mossuksesi i kësaj prove do të ishte një gur varri për aspiratat e mëvonshme të vendit tonë”. Sola do të mbante një qëndrim tjetër. Ai ishte më i kujdesshëm. Politikën italiane në Shqipëri, ai kërkonte ta mbulonte me formën e barazisë në marrëdhëniet italo-shqiptare, edhe pse parashikonte se si pasojë e kësaj politike, marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare do të mbeteshin të tendosura. Përsa i përket përpjekjes së filantropes angleze lady Herbert Carnarvon për t’i dhënë Shqipërisë një hua nën kontrollin ndërkombëtar. ”Kjo Ministri është dakort me ministrin italian në Durrës, me atë që, edhe pse s’ është një nismë serioze, duhet të bëhet gjithçka për ta hedhur poshtë, sepse, në qoftë se Shqipëria do ta merrte vesh këtë fakt, ajo do ta shfrytëzonte këtë për të çliruar borxhin me SVEA-n”. Pas kthimit të Shqipërisë në Monarki, ai e pa të arsyeshme edhe pse midis hapësirave të kufizuara, një riafrim midis Tiranës dhe Beogradit, riafrim i cili s’do të ishte kurrë në gjendje të zhdukte “humnerën gjithnjë e më të thellë” që po ndante të dy vendet.
Italia, e cila edhe vetë po kalonte vështirësi ekonomike serioze, për t’i provuar Zogut afërsinë dhe miqësinë e saj në gjëndjen e rëndë ekonomike të Shqipërisë i ofron asaj disa programe zhvillimi. U paraqiten me këtë rast dy versione, i pari i përpunuar prej ministrit Sola dhe i dyti prej gjeneralit Pariani. Ministri kërkonte që Shqipërisë t’i jepeshin shuma relativisht të vogla për të përballuar nevojat më urgjente, por jo në fushën ushtarake ose për qëllime ushtarake. Këto shuma mund të jepeshin në formën e kësteve vjetore ose në formën e një shume totale pa i kërkuar Shqipërisë si kundërpagese koncesione politike. Nga ana e tij gjenerali, në versionin e tij, propozonte një shumë vjetore prej dhjetë milionë franga ari duke futur këtu edhe kontributin italian për Forcat e Armatosura shqiptare. Shqipërisë i vihej si kusht që duhej të vazhdonte të shpenzonte pesëmbëdhjetë milionë franga ari në vit për blerje armatimesh dhe t’i njihte Italisë monopolin e kontrollit të shpenzimit të kësaj shume. Nga rrjedhja e mëvonshme e ngjarjeve u pa qartë se versioni i Parianit sugjeronte një ndryshim thelbësor në marrëdhëniet midis përfaqësisë italiane në Tiranë dhe misionit ushtarak në Shqipëri. Në thelb, versioni i ri i Parianit nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për kthimin e ushtrisë shqiptare në një forcë mercenare të paguar prej Italisë. Zogu në fakt kishte gjetur një bashkëpunim të vlefshëm tek Pariani. Tek ky italian, Zogu kishte kërkuar gjithmonë mbështetje. Pariani ishte munduar të forconte ushtrinë dhe ndjenjën kombëtare të shqiptarëve. Ai mendonte rezistencën ndaj politikës së depërtimit, “uronte” një ngadalësim të kontrollit financiar të SVEA-s mbi Qeverinë shqiptare, kërkonte vazhdimisht shpenzime të reja për Shqipërinë, sidomos për forcat e armatosura dhe për t’i dhënë rëndësi kësaj, theksonte mundësinë e një rreziku agresioni nga ana e Jugosllavisë. Pariani, sigurisht nuk synonte që të ndryshonte direktivat ushtarake të vendosura nga Lojacono dhe të aprovuara nga Musolini, të cilat i atribuonin veprimit italian “funksionin e një kërcënimi të fuqishëm kundër Jugosllavisë”, pa i atribuuar “funksionin e një kërcënimi efektiv”. Pasionet dhe parashikimet e Sola-s dhe të gjeneralit ishin shumë të afërta. Megjithatë, aty-këtu viheshin re disa hije divergjence, që ndoshta kishin të bënin pjesërisht me motive psikologjike, midis një diplomatit të mprehtë si Sola dhe “një shpirtit të bardhë” si Pariani. Sola nuk ishte dakord me alarmin e vazhdueshëm të Parianit mbi synimet agresive të Jugosllavisë ndaj Shqipërisë dhe ai nuk ishte i vonuar në parashikimin e kontradiktave të ardhshme eventuale midis autoritetit diplomatik italian dhe atij ushtarak në Shqipëri. Që në fillim të vitit 1928, Ministria e Financës dhe Kontabilitetit ishin munduar që të frenonin shpenzimet gjithmonë në rritje për Shqipërinë. Sola, edhe pse kishte mbështetur (në shtator) kërkesat financiare të Parianit me qëllim që ky të pranonte detyrën si këshilltar ushtarak i Zogut, edhe pse vazhdonte të ishte pro asaj që Pariani të mbante përgjegjësinë për problemin e shpenzimeve shqiptare me Romën, duke filluar nga muaji tetor, kishte marrë një pozicion të hapur kundër kërkesave të tepërta të Parianit. Bëhet fjalë vetëm për disa shenja, të cilat nxorën në pah tek ushtaraku Pariani një tendencë të theksuar për ta konsideruar Shqipërinë si një trampolinë për aventura më ekzaltuese ballkanike. Pariani dhe Lojakono, edhe pse mbështesnin dy politika të kundërta, në thelb strategjia e tyre e përbashkët ishte t’i jepnin në perspektivë Shqipërisë funksionin e trampolinës. Është për t’u theksuar që në pamje të parë të krijohet përshtypja se politika e mbështetur nga Sola u pranua nga Pariani, si rezultat i një deformimi të lehtë dhe jo si një bindje e menduar gjatë. Dhe kjo, megjithë motivet e një inati personal ndaj Zogut, ndihmon për të shpjeguar kalimin e shpejtë që bëri Pariani në vitin 1931 nga politika e Solas në atë të Lajokonos dhe Sarangas. Pikërisht, në rrethanat e vështira të krizës ekonomike botërore, kuptohet më së miri shqetësimi i madh që do të sillte diskutimi i Musolinit para Sekretariatit të Përgjithshëm të Federatës Fashiste, ku ai u shpreh hapur se Italia përgatitej për një luftë në kufijtë e saj, se për këtë ajo duhej armatosur, sepse s’mund të shtrihej paqësisht drejt Lindjes, se ishte absurde të mendoje se traktatet ishin të shenjta dhe të pacenueshme, se fashizmi ishte ndërkombëtarizuar dhe se Evropa s’kishte rrugë tjetër veçse të bëhej fashiste.
















