Nga Roland Lami
Përplasja e kohëve të fundit mes Presidentit dhe qeverisë zbulon në thelb dy standardet që përdorin palët e përfshira në dy emërimet e fundit; njëri i adresohet Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, tjetri, kandidaturës për ambasador në Vatikan. Në rastin e parë, pavarësisht se sipas procedurave ligjore, propozimi i emrit për Guvernator të Bankës së Shqipërisë i përket tërësisht Presidentit të Republikës, i cili duhet të propozojë një nga nëntë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, ky i fundit propozon një kandidaturë jashtë Këshillit Mbikëqyrës. Si mazhoranca dhe opozita, anashkalojnë aspektin formal të ndjekur nga ana e Presidentit, duke i dhënë kandidaturës për Guvernator Banke të z Sejko, 105 vota. Pra, marrëveshja politike i mbivendoset aspektit ligjor.
Rasti i dytë i adresohet kandidaturës për ambasador në Vatikan, z. Zhiti. Ndryshe nga qëndrimi me kandidaturën e guvernatorit të Bankës, Presidenti zgjedh t’i qëndrojë strikt kushtit themelor, ligjor procedural, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës. Kësaj qasjeje i bashkëngjitet edhe qëndrimi i opozitës, e cila i qëndron strikt variantit ligjor dhe jo atij politik si në rastin e Guvernatorit të Shqipërisë. Ndërsa mazhoranca fton Presidentin të anashkalojë interpretimin formal, pasi cilësitë e kandidatit janë më të rëndësishme në këtë rast. Mazhoranca në të dyja rastet preferon anashkalimin e procedurës ligjore në të mirë të marrëveshjes politike.
Mirëpo, pyetja që lind në një situatë të tillë është: Pse flitet kaq shumë në media për rastin e fundit kur shkelja ligjore konstatohet në të dyja rastet? Të thuash që tërheq më shumë interes politik dhe publik kandidatura e një ambasadori në Vatikan në raport me kandidaturën e drejtuesit të institucionit më të rëndësishëm financiar në vend, siç është Banka e Shqipërisë, vështirë ta besojë njeri, aq më shumë që institucioni në fjalë përballet me një krizë besimi dhe situatë makrofinanciare problematike.
Atëherë, logjika të shtyn tek disa arsye të tjera. Së pari, kandidatura e z Zhiti për shkak të CV shumë të pasur, të ofron më shumë mundësi ta përdorësh si kartë morale për të anashkaluar interpretimin formal të ligjit në raport me kandidaturën e z. Sejko, pavarësisht se rëndësia e institucioneve është e pakrahasueshme. Së dyti, konteksti politik në të dyja rastet nuk është i njëjtë. Mazhoranca duke qenë se po përballet me një situatë përmbytjeje në pjesën më të madhe të Shqipërisë, detyrohet që të vërë në lëvizje mediat pranë saj që ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga zonat e përmbytura tek konflikti President–Qeveri. Taktikë e vjetër por efikase në kontekstin shqiptar. Së treti, kandidatura e z. Zhiti, ndryshe nga ajo e z. Sejko, duke qenë se përfaqëson një kategori sociale siç janë ish të përndjekurit politikë, mund të shërbejë si karrem për diversion brenda PD-së dhe rritje të pakënaqësisë të ish të përndjekurve politikë ndaj PD. Një strategji kjo që ka vite që PS e aplikon për këtë kategori. Së katërti, ministri i Drejtësisë ka depozituar ditët e fundit në Kuvend një raport 93-faqesh në lidhje me reformën në drejtësi. Disa konstitucionalistë janë shprehur për përmbajtjen e kësaj reforme, ku bie në sy kufizimi i ndjeshëm i kompetencave të Presidentit të Shqipërisë. Krijimi i imazhit në publik i Presidentit si antiligjor, konfliktual, partiak dhe honorifik e justifikon më lehtë në sytë e publikut miratimin e kësaj reforme, pavarësisht frakturave që shkaktojnë ndryshime të tilla në kontrollin dhe balancimin e pushteteve. Së fundmi, dhe për mua më thelbësorja është se forcat kryesore politike në shumë raste na kanë dëshmuar se e gjejnë shpejt konsensusin për kandidatura të institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar kur janë nën nivelin e z. Zhiti dhe bëjnë lojëra politike për kandidatura të ngjashme me kalibrin e z, Zhiti. Pra, profil i ulët – marrëveshje politike, profil i lartë – lojë politike.
















