Kryeministri Rama tha sot se në Shqipëri pjesa dërrmuese e infrastrukturës prodhuese, transmetuese dhe shpërndarëse e energjisë elektrike është ndërtuar në vitet ’70-’80. Sipas tij, pjesa më e madhe e kësaj infrastrukture është rreth 40 vjeçare, ndaj kjo infrastrukturë nuk përballon dot nevojat në rritje të qytetarëve. Gjatë një takimi të organizuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për prezantimin e programit “Rimëkëmbja energjetike”, Ramatha se infrastruktura e sektorit energjetik, krijon probleme në cilësinë e shërbimit.
“Ka një objektiv pesë-vjeçar për ta kthyer energjinë nga një hall të madh për shqiptarët, në një burim fitimi për Shqipërinë. Reforma jonë për të liberalizuar në mënyrë radikale tregun e energjisë, për të çliruar konkurrencën në treg do të ketë sukses, sepse masat në kuadër të kësaj reforme na sigurojnë për këtë sukses.
Është një operacion jashtëzakonisht i rëndë, në një organizëm të kapur në të gjithë shtrirjen e vetë, nga një kancer gërryes, që çoi drejt një kolapsi financiar për shkak të një liste të madhe borxhesh, detyrimesh të prapambetura dhe zullumesh të hatashme. Kompania do të kthehet në kompani lider në të gjitha aspektet.
Për njerëzit e prekur nga përmbytjet si në jug dhe në veri, do të ketë një qasje tjetër për ti lehtësuar”, u shpreh Rama. Lidhur me faturat e paligjshme, ai deklaroi se ato nuk u falën, por u anuluan, por shtoi se nuk do të ketë më pazare për fshehje detyrimesh. “Harrojeni, nuk falen borxhet e ligjshme”, tha ai.
















