Pas pakësimit të reshjeve të shiut, janë shfaqur edhe dëmet e para që përmbytjet kanë shkaktuar në Novoselë.
Kanë nisur të shfaqen dëmet e para të shkaktuara nga përmbytja e lumit Vjosa. Pasi niveli i ujit ka rënë, kanë dalë në sipërfaqe bagëtitë e ngordhura. Vërshimi lumit të Vjosës ka shkaktuar mjaft dëme materiale për banorët, të cilët kanë kërkuar së fundmi dëmshpërblim. Dëmet janë të shumta, toka të tëra nën ujë, bagëti të humbura ose të ngordhura dhe shtëpi të përmbytura. Banorët e fshatit Bishan janë ankuar për këtë gjendje të mjerueshme dhe janë shprehur se në fshat nuk u është ofruar asnjë lloj ndihme. Një bilanc të dëmeve ka bërë dhe vetë kryeplaku u fshatit Bishan, i cili gjithashtu është prekur nga përmbytja. Kryeplaku i Bishanit, Albert Doraci, ka thënë se 70% e banesave janë të përmbytura, ka ngordhje të bagëtive dhe përmbytje të bazave ushqimore.
















