Presidenti i AKR-së BehgjetPacolli ka thënë se e përshëndetaktin e Isa Mustafës për ta shkarkuar Jabllanoviçin dhe shtoi se ky shkarkim ka ardhur me vonesë.
Pacolli tha gjithashtu se nuk bëhet palë as me protestat e dhunshme që u zhvilluan në Prishtinë.
Ja postimi i plotë i Behgjet Pacollit
Mirë është,edhe pse me vonesë!
Stabiliteti i Kosovës, imazhi i saj ndërkombëtar janë të mira publike që duhen ruajtur nga të gjithë. E vlerësojmë aktin e shkarkimit të ministrit Jablanoviq, i cili do duhej të kishte ndodhur më parë duke na kursyer kështu ato pamje dhune që ishin lajm i botës dhe që rrezikonin të destabilizonin. E kuptojmë se ishte edhe nje mungesë e VIZIONIT të kësaj Qeverije.
Në kushtet e reja, qeveria së bashku me opozitën do të duhet të përqëndrohet kah dialogu për plagët e mëdha sociale të vendit.
Duhet dialog brenda institucioneve. Nëse po dialogojmë me serbët, nuk kuptoj pse politika jonë s’do duhet të dialogojë mes veti për të shëruar këto plagë?
Si do duhet të ndalet gërryerja e shpirtit të shoqërisë sonë nëpërmjet ikjeve masive?
Unë vazhdoj të këmbënguli që qeveria do duhet të na bindë, sot më shumë sesa në fushatën zgjedhore për dobinë, për kryeshmërinë e programeve të vetaqeverisëse, të premtimeve të veta elektorale. Ku janë terapitë që ajo propozonte për punësimin e të rinjve, për mirëqenie për të gjithë?
Dakord që qeverisë i duhet lënë një periudhë që tregojë veten, por qytetarët duan mesazhe shprese, arsyeje pse duhet të mos e lënë vendin.















