Partia Demokratike ka denoncuar administrimin në mënyrë private të lagunës së Karavastasë, e cila, sipas kësaj partie, po përdoret për përfitime private të deputetit Erion Braçe dhe kryebashkiakut të Divjakës Fredi Kokoneshi. “Ka afro një vit, qysh nga muaj mars i vitit 2014 që laguna e Karavastasë me një sipërfaqe prej 4300 hektarë administrohet në mënyrë private dhe klandestine pa asnjë lloj dokumenti financiaro–ligjor nga kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi, me militante të Partisë Socialiste i përkrahur nga deputeti Erion Braçe”,- tha Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslim Murrizi. Ai bëri me dije se kjo lagunë ka qenë dhënë në përdorim nga Ministria e Mjedisit, Kompanisë IT SHPK deri në vitin 2017 dhe është pezulluar me urdhrin Nr.58 dt/25.02.2014 para se të dalë VKM. “Kjo firmë ka pasur të punësuar me kontrate vjetore 32 punëtorë të përhershëm, dhe të deklaruar në bilancin financiaro-tatimor mbi 700 kuintal peshk të zënë në vit. Prodhimtaria e kësaj lagune në historikun 25 vjeçar rezulton mbi 1000 kuintalë për çdo vit ose e shprehur në lekë 500-800 milionë lekë në vit”,- ka bërë me dije Murrizi. Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë të fillojë hetimin për të zbardhur këtë aferë të pastër korruptive me mbi 500 milionë lekë të vjedhura.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















