Ekspozita e dy artistëve shqiptarë, Edi Hila dhe Adrian Paci, me titull “Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara”, është hapur në shkollën e arkitekturës “Architectural Association” të Londrës, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas mediave shqiptare, presidentja e “Architectural Association”, Sadie Morgan, tha se është e lumtur me krijimin e një lidhjeje me Shqipërinë.
“Kjo ekspozitë ka udhëtuar që nga Bienalia [e Venedikut] deri këtu dhe përfaqëson një bashkëpunim, jo vetëm për tani, po edhe për të ardhmen, midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, si edhe mundësinë e këtyre instituteve për të transmetuar këtë energji dhe dinamizëm në një komunitet më të gjerë dhe në sa më shumë njerëz”, ka thënë Morgan.
Në këtë ekspozitë, Edi Hila u paraqit me pikturat “Penthouse” dhe “The Column”, ndërkaq Paci u paraqit me video/instalacion. “Architectural Association” është një nga shkollat më të rëndësishme të arkitekturës në Evropë.


















