Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, Meta zhvilloi fillimisht një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale. Duke folur për median pas vizitës, kryetari i Kuvendit uroi që kjo ditë të sjellë sa më shumë mbarësi për familjet shqiptare dhe për shoqërinë tonë.
“Në këtë ditë Krishtlindje, do të uroja gjithë besimtarët e krishterë, por edhe të gjithë popullin shqiptar sa më shumë mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre, por natyrisht edhe në gjithë shoqërinë tonë”, u shpreh Meta.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit zhvilloi vizita në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, si edhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.
Meta theksoi se kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve dhe na fton të jemi më solidarë, e më të bashkuar me njëri-tjetrin. “Kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve, është një festë që na bashkon të gjithëve në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe natyrisht që është një ditë e cila na fton për të qenë gjithnjë solidarë dhe më të bashkuar me njëri-tjetrin”, u shpreh ndër të tjera kryetari iKuvendit, Ilir Meta.
















