Fundi i bojkotit të Partisë Demokratike në Shqipëri është shumë pranë. Pas konfirmimit nga deputeti Taulant Balla, që firmosi në emër të shumicës parlamentare draftrezolutën e propozuar nga të dërguarit e Parlamentit Evropian, konfirmimi ka ardhur edhe nga deputeti i PD-së, Genc Pollo.
Pollo, njofton Top-Channel i ka shkruar eurodeputetëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein se i falenderon ata për përpjekjet e tyre për një mirëkuptim politik mes palëve dhe normalizimin e jetës parlamentare.
“Ne konfirmojmë marrëveshjen tonë mbi Deklaratën e Principeve, siç ju e keni nënvizuar. Ne biem plotësisht dakord që kjo duhet të çojë në një rezolutë parlamentare. Ne jemi gati të punojmë së bashku në këtë drejtim”, thuhet në email-in e Pollos.
Ky qëndrim tregon se tashmë nuk ka më asnjë pengesë për kthimin e opozitës në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit gati 6-mujor.














