Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka shënuar sot 25 vjetorin e themelimit të saj me një ceremoni solemne ku ishin të pranishëm qindra bashkëpartiakë, ambasadorë e udhëheqës shtetërorë.
Kryetari i LDK-së dhe njëherësh kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se LDK për herë të parë këtë përvjetor po e shënon në krye të Qeverisë së shtetit, derisa për një arritje të tillë i ka falënderuar të gjithë bashkudhëtarët e partisë.
“Sot LDK 25 vjetorin e themelimi të saj po e shënon për herë të parë pas lufte në krye të qeverisjes së vendit, po e shënon si anëtare e familjes së madhe të partive popullore evropiane, me grupin e saj parlamentar prej 32 deputetëve në Parlamentin e Republikës së Kosovës me lidership në 9 komuna të Kosovës, e shtrirë në tërë territorin Republikës së Kosovës dhe në diasporë, me Forumin e Gruas, me Forumin e Rinisë, me Këshillin e Ekspertëve dhe me Fondacionin Ibrahim Rugova”, tha ai.
Mustafa paraqiti një biografi të shkurtër të rrugëtimit të LDK-së që nga themelimi i saj nga Ibrahim Rugova e deri më tani, duke thënë se gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur orientim properëndimor dhe miqësi me SHBA-të, të cilën do ta forcojë edhe më shumë. Ai shtoi se partia do të punojë me gjithë kapacitetin e saj për anëtarësim në BE, NATO dhe në OKB.
Mustafa tha se si udhëheqës i Qeverisë do të punojë në drejtim të krijimit tw kushteve që të rinjtë të mos kenë nevojë ta lëshojnë vendin.
“LDK për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së vendit është prijëse e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nga kjo pozitë LDK do të vazhdoj të punoj për një të ardhme më të mirë të vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe perspektivën e të rinjve këtu në Kosovë në mënyrë që askush mos të ketë nevojë të marrë botën në sy në kërkim të një jete më të mirë. LDK u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit të na bashkohen në betejën e përbashkët për përparimin e vendit tonë, për zhvillimin e Republikës së Kosovës sepse ne nuk kemi atdhe tjetër pos Kosovës, prandaj edhe të ardhmen tonë duhet ta ndërtojmë pikërisht këtu në Kosovën tonë, në shtëpinë tonë”, tha Mustafa.
Kryeministri i Kosovës dhe lider i LDK-së po ashtu i porositi të rinjtë që të mos bëhen pjesë e luftërave dhe konflikteve të ndryshme ndërkombëtare e botërore.














