Entela Bineri
Filmi “Bota” me skenar e regji të Iris Elezit dhe Tomas Logorecit në “Millenium”, Tiranë
Një bashkësi njerëzore (ish-të internuar dhe trashëgues të tyre) jeton ende në një ish-kamp të dënuarish politikë me fuqinë ose pafuqinë për t’u mëkëmbur nga rrënimi i shkaktuar prej sistemit të mëparshëm politik dhe me mundësinë apo pamundësinë për të nisur një jetë të re. Kjo është fabula e filmit “Bota” me skenar e regji të Iris Elezit dhe Tomas Logorecit (Thomas Logoreci), shfaqur së fundmi në kinema “Millenium” në Tiranë.
Gjithçka ndodh në Divjakë, një qytezë e varfër, ku njerëzit përpiqen të gjallojnë në një humbëtirë, edhe pse duket sikur personazhet s’kanë shumë lidhje me vendngjarjen për nga vetë veshja, qëndrimi, mendësia etj. Ata shembëllejnë si të vendosur artificialisht në një mjedis të cilit s’i takojnë dhe ku qendër është lokali “Bota” në të cilin vërtiten pothuajse gjithë personazhet e pikërisht prej këtej merr titullin edhe vetë filmi.
Kjo është bota në mes të askundit, ku nuk është e lehtë të përcaktosh personazhin kryesor, për vetë faktin se nuk ndiqet kryesisht ecuria e zhvillimit të tij, por ndihet një shpërhapje në drejtime të ndryshme: personazhesh dhe idesh.
Një larmi linjash përpiqen të marrin jetë në film: linja e së kaluarës e cila mbetet në kuadrin e së pandërgjegjshmes gjatë ëndrrave të ankthshme; linja e familjes, mjaft e zbehtë dhe në një drejtim edhe e përlyer; linja e dashurisë mes dy të rinjsh, aspak e ndjerë; linja e dashurisë për artin, ngelur në nivelin e pasionit modest; linja e prirjes për fitim; e së fundi, por më e rëndësishmja, linja e aleancës femërore. Përafrimi femëror merr jetë, në një sfond “armiqësor” apo “sulmues” mashkullor, mes personazhit të Julit dhe Norës, të cilat, ndonëse u përkasin karaktereve të ndryshme, ndiejnë herë pas here që mund të jenë aleate, këshilluese, partnere kërcimi madje, madje, edhe vetësakrifikuese për njëra-tjetrën, për sa kohë që personazhi i Norës, një 24-vjeçare shtatzënë pa kurorë, vë në rrezik vdekjeje vetveten për t’u hakmarrë ndaj të dashurit të vet lidhur me mashtrimin që ai i ka bërë mikes së saj…
Tjetër shqetësim përbëjnë edhe personazhet e tjera, për arsye se nuk janë aspak bindëse për vetë mënyrën si janë krijuar dhe për marrëdhëniet që krijojnë me njëra-tjetrën. Me shpresën se regjia do të ndryshonte diçka për mirë lidhur me të metat e skenarit, kjo nuk arriti të ndodhë, përkundrazi, erdhi jonatyrshëm loja e aktorëve, të cilët, duke mos pasur çfarë të zhvillonin e të shfaqnin përmes karaktereve të tyre, u vunë në pozita zhgënjyese dhe rezultonin më të habitur se vetë spektatori…
Brenda filmit pati skena parazitare mjaft, që s’thoshin asgjë, që s’çonin askund. (Rrëfimi mbi ëndrrat nga Noja, skena groteske e intimitetit seksual mes Benit dhe Norës, skenat e parealizuara të ëndrrave të Julit mbi të kaluarën, dhurimi i habitshëm i telefonit nga polici te Juli, ngacmimi i Julit nga djemtë etj.)
Gjithashtu, krejt jobindëse ishin skena të rëndësishme që kishin lidhje me protagonisten si: ndarja nga jeta e gjyshes; ndarja me djaloshin e dashuruar, që vështirësisht përngjante i tillë; përballja me kushëririn pas zbulimit të mashtrimit të tij, etj.
Nuk munguan të shfaqen as nostalgjitë personale të realizuesve të filmit, të cilat morën jetë si në portretet e aktoreve të brezit të Roza Anagnostit e Elvira Diamantit, të vendosura te koka e krevatit të një 24-vjeçareje, ashtu edhe në kolonën zanore të filmit, përbërë nga këngë vërtet të bukura shqiptare, por që s’kanë aspak lidhje me brezin dhe kohën në të cilën janë vendosur ngjarjet. Kështu, dobësitë personale regjisorët në fjalë s’kanë pse t’ia adresojnë pakuptueshmërisht një brezi tjetër, duke i izoluar artificialisht me muzikë të dikurshme e radio “Iliria”.
Lidhur me strukturën e filmit, është zhgënjyese për shikuesin të presë më shumë se një orë që të fillojë ngjarja. Për më shumë se 60 minuta vazhdohet me parashtrimin: me paraqitjen e personazheve dhe vendngjarjes. Në një të tretën e kohës, së fundmi, ndodh gjithçka dhe ndodh shumë: zbulimi i mashtrimit, vjedhja e lekëve, vrasja e së dashurës, varrosja e fshehtë, vdekja e gjyshes, ikja e protagonistes drejt një jete të re. Pra, shikuesi, pasi pret me durim se ku do të dalë autori, ky i fundit kujtohet që s’ka më kohë dhe ngjesh gjithçka, sa nuk kuptohet pse-ja e kundërveprimeve të personazheve.
Lidhur me peizazhet e vendgjarjes, përgjithësisht, ishin mbresëlënëse, veçse nuk ishin në shërbim të ngjarjes dhe s’ecnin në harmoni nga njëra skenë në tjetrën.
Si përfundim, edhe pse ngjarjet marrin shkas nga një e vërtetë e hidhur, edhe pse peisazhi është magjepsës, edhe pse aktorët vijnë me përvojën dhe talentin e tyre të admirueshëm, edhe pse muzika është kaq prekëse, e dashur dhe nostalgjike, filmi “Bota”, me gjithë mirëpritjen në premiera të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, nuk arrin dot të realizojë qëllimin e një vepre artistike: të zgjojë ndjesi dhe të ngacmojë ide te shikuesi.
















