Qëllimi i kësaj bibliografie është pasqyrimi i krijimtarisë dhe i veprimtarisë së Ismail Kadaresë, kontributi që ai ka dhënë në fushën e letërsisë, por edhe gazetarisë, kritikës letrare, përkthimeve, publicistikës e më gjerë
Biografia kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare, vëllimi i parë, vjen nën kujdesin e Dr. Lili Sula, profesoreshë e Letërsisë shqipe në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Bibliografia është konceptuar në dy vëllime: vëllimi i parë Kadare: bibliografi I (vepra) dhe vëllimi i dytë Kadare: bibliografi II (studime për të). Në duart tëlexuesit e studiuesit vjen vëllimi i parë, i cili përfshin harkun kohor 1948-2010.
Qëllimi i kësaj bibliografie është pasqyrimi i krijimtarisë dhe i veprimtarisë së Ismail Kadaresë, kontributi që ai ka dhënë në fushën e letërsisë, por edhe gazetarisë, kritikës letrare, përkthimeve, publicistikës e më gjerë. Kjo bibliografi ka si objekt veprën artistike, eseistike e publicistike të shkrimtarit Ismail Kadare, të botuar në shqip e në gjuhë të huaj; antologjitë, pjesë e të cilave është edhe shkrimtari në fjalë; krijimtaria dhe artikujt e tij botuar në shtypin periodik.
Pjesa e parë: përfshin veprën e Kadaresë, botuar në shqip e në gjuhë të huaj, që në fillesat e saj, me vëllimin poetik Frymëzime djaloshare (1954), e duke vijuar me botimet e vitit 2010. Interes të veçantë për lexuesit e studiuesit përbën vepra e botuar në gjuhë të huaj, e cila rezulton me një numër të madh titujsh në shtrirjen kohore 1966-2010. Shkrimtari Ismail Kadare është anëtar i denjë i familjes së letërsisë botërore. Ai përfaqëson letërsinë shqipe në shumë areale gjuhësore, duke rezultuar shkrimtari shqiptar më i përkthyer në botë. Nga të dhënat e grumbulluara, kemi evidentuar se vepra e shkrimtarit Ismail Kadare është përkthyer e ka qarkulluar në dyzet e katër gjuhë të botës, duke iu referuar veprave të përkthyera deri në vitin 2010. Pas këtij viti rezulton e përkthyer edhe në gjuhë të tjera. Gjuhët në të cilat është përkthyer vepra e Ismail Kadaresë, janë: anglisht, arabisht, baskisht, boshnjakisht, bullgarisht (përkthimi i parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në vitin 1966), çekisht, danisht, esperanto, estonisht, finlandisht, flamandisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, hebraisht, holandisht, hungarisht, indonezisht, italisht, japonisht, katalanisht, kinezisht, koreanisht, kroatisht, letonisht, malajlamisht (një ndër gjuhët zyrtare të Indisë), maqedonisht, norvegjisht, bokmal (një standard zyrtar i norvegjishtes), persisht, polonisht, portugalisht, rumanisht, rusisht, serbisht, sllovakisht, sllovenisht, spanjisht, suedisht, turqisht, vietnamisht, në gjuhën arumune dhe në një prej gjuhëve zyrtare afrikane.
Pjesa e dytë e këtij vëllimi bibliografik pasqyron krijimtarinë e I. Kadaresë në shtypin e shkruar, ku përfshihet krijimtaria letrare e ajo publicistike. Në këtë pjesë të dytë janë përfshirë shkrime të rinisë së hershme, të cilat zënë fill në vitin 1948, kohë kur Ismail Kadare ka qenë nxënës në shkollën 7-vjeçare “Koto Hoxhi”. Por, duhet theksuar, – thotë autorja, se këto shkrime nuk përbëjnë krijimtari të mirëfilltë artistike, por gëzojnë statusin e një paraletërsie. Arsyeja se përse janë përfshirë në këtë bibliografi është se libri nuk ka karakter selektiv, por është synuar paraqitja e të gjitha të dhënave që janë disponuar, përfshirë edhe shkrimet e rinisë së hershme, të cilat përbëjnë edhe fillesat e krijimtarisë kadareane.
Në pjesën e tretë përmblidhen vëllimet e veprës së plotë të shkrimtarit Ismail Kadare. Përmbledhja e parë prej dhjetë vëllimesh u botua në Prishtinë (1980) nga shtëpia botuese “Rilindja”, nën titullin e serisë “Komplete veprash”. Në Tiranë,s vepra e Ismail Kadaresë u botua në dymbëdhjetë vëllime prej shtëpisë botuese “Naim Frashëri” (1981-1989) dhe në njëzet vëllime prej shtëpisë botuese “Onufri” (2000-2009). Ndërsa në Francë, vepra u botua prej shtëpisë botuese “Fayard” (1993-2004), në frëngjisht e në shqip.
Në përmbyllje të këtij libri është realizuar një bisedë me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili ka folur për mjaft çështje që përbëjnë interes për lexuesit e studiuesit, lidhur me krijimtarinë e tij të hershme, kohën studentore, veprën e botuar në gjuhë të huaj, përkthyesit, kritikën, mundësitë e një periodizimi të krijimtarisë së tij, periudhën e dyzimit si shkrimtar, kontributin e dhënë në fushën e përkthimeve, si dhe për çështje për të cilat nuk është prononcuar më parë.

















