Për të gjithë adhuruesit e shkencës dhe skeptikët e religjioni, të martën në hapsirat e Bibliotekës Kombëtare është promovuar përkthimi i librit Deluzioni Zot i autorit Richard Dawkins. Libri është botuar nga Shoqëria Sekulare për Mendim Kritik dhe është përkthyer nga profesori Bardh Rugova. Gjatë promovimit është folur për autorin e librit, rëndësinë e këtij përkthimi dhe për Shoqërinë Sekulare si organizatë e re e cila mirret me promovim të skularizmit.
“Në Kosovë ka shumë keqëkuptime sa i përket ateizmit dhe agnosticizmit. Është një tendencë që ateistët dhe agnostikët të margjinalizohen nga pjesa tjetër popullatës. Këtë më së miri e tregon fakti që termet si “ateist” dhe “i pafe” përdoren si ofendim,” ka thënë në fjalimin e tij Dren Pozhegu, njëri nga anëtarët e Shoqërisë Sekulare. Sipas tij, botimi i një libri si ky do të spjegonte pak më qartë konceptin prapa fjalës ateist dhe agnostik dhe kursesi nuk e promovon ateizmin.
Ndërkohë edhe përkthyesi i këtij libri Bardh Rugova ka folur për skepticizmin ndaj religjioni që promovohet në librin e Dawkins dhe për rëndësinë që një skepticizëm i këtij lloji të jetë pjesë e diskutimeve publike në vendin tonë. Ai gjatë fjalimit të tij ka folur edhe për sfidat linguistike që i ka hasur gjatë përkthimit, veçanërisht për shkak të një fjalori qëllimisht të larmishëm që është përdorur nga autori, fjalor ky që sipas Rugovës është përshtatur njësoj me laramani edhe në gjuhën shqipe. “Përkthimi i librit nuk është bërë për fëmijët e shkollës fillore, por është bërë për lexues që duan të informohen më gjerësish mbi konceptet e vështira të shkencës dhe mendimit kritik,” ka thënë ndër të tjera Rugova në fjalimin e tij.
Përveç librit, në promovim është ngritur edhe çështja e sekularizmin, për të cilën ka folur edhe Marigona Syla si përfaqësuese e Shoqërisë Sekulare. “Sot para nesh për lexuesin shqiptar promovojmë argumentin më të mirë të kohës për rolin që feja duhet ta ketë në sferën publike. Sekularizmi është themeli mbi të cilin ndërtohet shteti modern,” ka thënë Syla para publikut të pranishëm në promovim. “Rëndësia e ndarjes së fesë nga shteti dhe anasjelltas nënkupton lirinë e plotë të qytetarëve për të besuar dhe mosbesuar,” ka vazhduar ajo.
Shoqëria Sekulare për Mendim Kritik e ka një trup të madh të vendimmarrjes. Janë diku rreth 500 anëtarë, të cilët kontribojnë në aktivitetet e organizatës. Libri që është përzgjedhur për botim është best-seller ndërkombëtar, por njëkohesisht është shumë përmbajtësor dhe shtjellon relativisht mirë shkencën prapa koncepteve të ateizmit dhe agnosticizmit. Gjithashtu Richard Dawkins është një ndër studiuesit më të medhënj dhe të besueshëm të fushes së gjenetikës dhe evolucionit. Për më tepër, ai është kthyer ne një simbol të lëvizjes apo mendësise së ateizmit të ri.
Libri i Deluzioni Zot i Richard Dawkins në shqip mund të gjindet në të gjitha libraritë e Prishtinës dhe së shpejti do të jetë edhe në qytetet tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...

















