Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndryshimin e qëllimit të përdorimit dhe shfrytëzimit të kompleksit banesor kolektiv-afarist “Hade dhe Hade 2” në Obiliq.
Kompleksi i ndërtuar nga Buxheti i Kosovës tani destinohet për nevoja të banimit social, dëshmorëve, kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, veteranëve, viktimave të dhunës seksuale dhe personave tjerë me nevoja të veçanta nga këto kategori.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka shpjeguar se 50% e njësive banesore do të destinohen për banim social dhe 50% tjera për nevojat e banimit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale dhe personave tjerë me nevoja të veçanta.
Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu vendimin sipas të cilit do të obligojë të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të përdorin Sistemin Elektronik të Shpronësimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që 80 banesa të kompleksit banesor Hade dhe Hade 2, në Obiliq, të ndahen për zgjidhjen e çështjes së banimit të 80 familjeve.
“Nga ky vendim do të përfitojnë familjet nga rastet sociale, familjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale dhe familjet e personave me nevoja të veçanta”, ka shpjeguar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.
















