Është mbajtur sot në kryeqytet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Rinisë me temë “Lidershipi rinor në vazhdim: ‘E shkuara dhe e ardhmja’”, organizuar nga OKB, që përkon dhe me Ditën e Rinisë, e zyrtarizuar tashëm si festë zyrtare.
Kryeministri i vendit, Edi Rama i cili ka folur në këtë asamble e ka vlereësuar këtë ditë si simbol të fuqisë së rinisë për të bërë ndryshimin. Sipas tij lëvizja e dhjetorit bëri ndryshimin e madh që në atë kohë as që mund të imagjinohej në vendin tonë, duke i dhënë zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe demokraci.
“24 vite më parë askush nuk mund ta përfytyronte se të vetmit të huaj që hynin ishin marksistë dhe lenistët që më parë duhet të merrnin leje ne Komitetin Qëndror. Sot jemi nje vend ku organizohet një mbledhje e tillë e një organizmi ndërkombëtar”, tha Rama.
Kryeministri inkurajoi të rinjtë të merren me politikë pasi ajo sipas tij është një zë i fuqishëm që i jep forcë revoltave.
“Sot jemi fatlum që gjërat i ndryshojmë nëpërmjet votës, ngremë ura e ndërtojmë procese komunikimi nëpërmjet politikës. Politika është forcë për t’i dhënë zë revoltës”, tha Rama.















