Krerët më të lartë të shtetit, presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit Ilir Meta, me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë zhvilluan sot homazhe te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në nderim të të rënëve në luftën ndaj pushtimit nazi-fashist.
Të tre krerët e shtetit u përkulën me nderim para monumentit “Nëna Shqipëri” . Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministrat e kabinetit qeveritar, ambasadorët e akredituar në Shqipëri dhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.
Presidenti i Republikës vendosi i pari kurorën me lule, i ndjekur më pas nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, mes Presidentit Nishani, Kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta, pati një bisedë të shkurtër, ndërsa më pas ata u takuan me veteranët e luftës që ndodheshin pranë tyre.
Më pas kurora me lule vendosën ministrat, përfaqësues të qeverisë dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANC).
Ashtu siç ndodhi në Vlorë një ditë më parë për 102-vjetorin e Pavarësisë, edhe sot në përfundim të ceremonisë asnjë prej krerëve nuk ka mbajtur një fjalim, por janë larguar në heshtje.














