Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, e ka kundërshtuar idenë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë.
Pas takimit që kanë zhvilluar të hënën në Nju Jork, presidentja kroate ka bërë të ditur se presidentit kosovar ia ka kujtuar parimin e Komisionit të Badinterit se kufijtë në territorin e ish-Jugosllavisë “duhet të mbesin të gdhendur në gurë”.
“Ishte interesante të flisja me presidentin e Kosovës, Thaçin, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për temën që po dëgjohet së fundmi rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve. Këtu, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe ia kam treguar argumentet dhe qëndrimet tona si dhe faktin e parimit të Komisionit të Badinterit që kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të mbeten të gdhendura në gurë”, ka thënë presidentja Grabar-Kitaroviq, raporton Hina, transmeton Koha.net.
Agjencia kroate të lajmeve, Hina, raporton se presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me të cilin “e ka ndarë shqetësimin rreth situatës në Europën Juglindore në lidhje me proceset e rëndësishme që do të pasojnë brenda një kohe të shkurtër”.
“Ishte një takim shumë produktiv. Vlerësoj faktin se ai në këto ditë do të ketë 128 takime dhe jemi pajtuar se do të vazhdojmë dialogun. Ndamë shqetësimet për gjendjen në Europën Juglindore, proceset që do të hapen në të ardhmen, duke filluar nga zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë, dhe faktin se nuk ka ndryshuar ligji i zgjedhjeve, nga bisedimet mes Beogradit e Prishtinës e deri në pritjen e rezultateve të referendumit të Maqedonisë për emrin e shtetit”, ka thënë Grabar-Kitaroviq.
























