Nga Kastriot Dervishi
Protagonisti kryesor për arritjen e një marrëveshje me tre parti greke ka qenë Bahri Omari, jo Mit’hat Frashëri. Ky i fundit është përfshirë në të pa qenë aktori kryesor. Vetë Omari e sqaron këtë në hetuesinë e zhvilluar ndaj tij. Duke lexuar pjesë të saj, çështja e bisedimeve të asokohshme bëhet shumë e qartë.
***

Hetuesia e Bahri Omarit më 6.12.1944 para hetuesve Josif Pashko dhe Selman Brahimi:
-Në prill 1944, tri parti greke të cilat ishin në lidhje me kryeministrin grek Ralis, më propozuan mua me anë të një letre për të bërë një federatë greko-shqiptare. Për këtë gjë, vura në dijeni kryeministrin tonë, Kolë Tromarën dhe organizatën e Ballit Kombëtar. Mbasi qe preliminare akoma nuk qe biseduar në Këshillin e Ministrave. Partitë greke kërkonin të bëhej një federatë greko-shqiptare, duke i njohur kufijtë e vitit 1913.
-Neve pranonim bashkëpunimin me partitë greke të sipërme, por për një konfederatë, ku të merrnin pjesë gjithë Ballkani dhe sidomos Turqia. Për bisedime për këtë konfederatë kemi marrë pjesë: Mit’hati, unë, Kolë Tromara, Hasan Dosti, Rexhep Mitrovica.
-Meqenëse si ne, si grekët nuk i kishin gjithë partitë të bashkuara, ne mendonim që të bënim marrëveshje qeveria shqiptare me qeverinë greke.
-Ne e pëlqyem marrëveshjen meqë grekët njihnin kufijtë e Shqipërisë së 1913-s, në jug, si dhe të njihnin Kosovën të lidhej me Shqipërinë.

Në vijim do të lexoni deklaratat e kryenegociatorit Xhavit Leskoviku
Xhavit Leskoviku, një prej figurave kryesore të ushtrisë dhe politikës shqiptare ka qenë kryenegociatori për të marrëveshjen e cila nuk u arrit. Ai ishte internuar nga fashistët deri në kapitullimin e tyre në vitin 1943. Detyrën për bisedime, si diplomat i vjetër e ka marrë nga ministri i Punëve të Jashtme, Bahri Omari. Vetë Leskoviku nuk bënte pjesë në asnjë parti. Xh.Leskoviku u rrëmbye nga komunistët në Selanik më 28.10.1944 (u rëmbye edhe Kostaq Kotta). Ai u soll së bashku me ish kryeministrin Kostaq Kotta në Tiranë sepse komunistët do luanin kundër tyre kartën e akuzës ndaj “tradhtarëve”, meqë projektmarrëveshja drejtohej kundër jugosllavëve. Me këtë ata donin të fitonin pikë përpara padronëve të tyre jugosllavë. Pasi u rrëmbye, Xh.Leskoviku u soll në Tiranë ku doli përpara një komisioni hetimor i përbërë nga Simo Zhupa, Kudret Hoxha dhe Andrea Jakubini. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe në gjyq, më 15.3.1945. Ndërsa po në të njëjtin gjyq, ish kryeministri Kotta deklaroi se nuk ka pasur asnjë cilësi politike gjatë bisedimeve.
Më 14.2.1945 përpara komisionit hetimor, deklaron:
Në prill 1944 më ka thirrur Bahri Omari dhe më ngarkoi të shkoj në Selanik për t’u marrë vesh se deri në ç’gjendje ishin bashkëfjalimet private që kishin filluar atje Dhimitër Fallo, Selim Mborja, Koço Kotta, me disa pjesëtar të partive politike greke për një marrëveshje midis dy kombeve. Para se të nisesha u takova me Rexhep Mitrovicën kryeministër. Këta kishin ndërmend të bënin një mbledhje me disa persona me qëllim që të jepnin instruksione mbi mënyrën e veprimit, por përfundimisht mbledhje nuk u bë dhe unë u nisa në Selanik i autorizuar nga BahriOmari që ishte ministër i Punëve të Jashtme. Bahri Omari më tha se të gjithë shokët ishin dakord me dërgimin tim. Gjithashtu, u këshillova me disa krerë të Ballit Kombëtar si Selim Mborjen, Dhimitër Fallon dhe Koço Kottën. Të gjithë së bashku jemi takuar edhe me 5 përfaqësues të disa partive greke prej të cilave më kujtohet vetëm i quajturi Levadin Dinga. Në bisedim e sipër, grekët shfaqën mendimin për formimin e një konfederate dhe pasi neve qemë të ftohmë, na shpjeguan se kjo punë do të ngjallte dëshirën e të dy popujve pas mbarimit të luftës dhe se neve kishin për mision të përgatisnim nga një përfaqësi nga të dy anët e cila do të mblidhej në Athinë për të caktuar bazat mbi të cilat do të bëhej lidhja e të dy kombeve në mbarim të luftës. Neve parashtruam si konditë para çdo diskutimi të njohin independencën e popullit shqiptar dhe kufijtë e 1939-s. Ata nuk dhanë sigurime, por as që e refuzuan pse do të bënin propozime kryetarëve të partive në Athinë e më vonë do të bisedonim. Unë në bazë të marrëveshjes që u arrit atje, i propozova Tiranës që të dërgojë një përfaqësues pasi të merrnin përgjigjen e Athinës në të cilën dërgoi një përfaqësi pasi të merrnin përgjigjen e Athinës, në të cilën përfaqësi merrnin pjesë Koço Kotta si përfaqësues i Legalitetit, një i dërguar i Ballit, një i Kosovës dhe mundësisht një prej katolikëve të Shkodrës. Grekët nuk pranuan që të përfaqësohet qeveria, se lidhja duhej të bëhej parti me parti. KoçoKottën unë e propozova pa e pyetur dhe është e vërtetë që nuk e ka pranuar kur i kam thënë se e kam caktuar përfaqësues. Përfaqësues të EAM-it dhe të NÇl-së nuk parashikuam që të marrin pjesë, as që e diskutuam fare, për shkak se si të ndjekur nga gjermanët dhe të survejuar prej tyre, nuk kishin mundësi të merrnin pjesë. Këto propozime janë nisur nga ana e shqiptarëve dhe di se Fallo kishte shkuar për të ardhur në përpjekje me grekët. Është filluar nga ana e shqiptarëve kjo përpjekje për shkak se neve kishin nevojë për një marrëveshje të tillë, sepse politika e Greqisë gjithmonë synonte aneksimin e pjesë së Shqipërisë së jugut. Që ata e cilësojnë si Epir i veriut dhe për t’iu shmangur këtij rreziku, neve kujtuam se kjo ishte rruga më e mirë. Meqenëse pritën 7 javë përgjigje nga Tirana dhe nuk erdhi, dhe Fallo ishte nisur për në Tiranë për t’u marrë vesh me Ballin Kombëtar, unë dhe Kostaq Goda shkuam në tyren avokatore të Dingos dhe e pyetëm në kishte ardhur ndonjë përgjigje për shkak se gjermanët survejonin lëvizjet e kryetarëve të partive të ndryshme në Greqi nga shkaku se një pjesë e madhe e tyre kishin ikur në Kajro, gjë që shqetësonte autoritetet gjermane. Kështu marrëveshja u ndërpre dhe nuk u bë propozim as nga ne e as nga grekët.

















