Kuvendin e Kosovës e themeloi më 10 dhjetor 2001 ish-kryeadministratori i UNMIK-ut, i ndjeri Hans Haeckerup. Më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia e Kosovës dhe u nxorën të gjitha simbolet shtetërore të vendit.
Kryetarë të kuvendit të Kosovës ishin Nexhat Daci, Kolë Berisha dhe Jakup Krasniqi i cili dy herë me radhë ishte në krye të këtij institucioni.
Ndërsa ende i kemi të freskëta pamjet nga seanca konstituive e legjislaturës së pestë parlamentare, përplasjet midis bllokut opozitar LDK, AAK, NISMA dhe PDK’së së bashku me partnerë të koalicionit për pozitën e kryeparlamentarit, në fakt, me konfrontime të ngjashme kishte filluar punën edhe përbërja e parë parlamentare kur nga zgjedhjet e popullit u formua kuvendi i ri i Kosovës, më 10 dhjetor të vitit 2001.
Askohe më Prishtinë ishte mbajtur mbledhja e parë e parlamentit të ri të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e përgjitshme të 17 nëntorit të vitit 2000. Kjo ishte vlerësuar si ngjarje me rëndësi historike për të ardhmen e Kosovës, asokohe nën administrimin ndërkombëtar, raporton portali Almakos.
Mbledhja e parë e parlamentit pati dëshmuar se mungesa e një marrëveshjeje paraparake politike mund të shkaktojë probleme në procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës.
Mosmarrëveshjet e para lindën në votimin për kryesinë e parlamentit, proces i cili filloi pas fjalës së administratorit të Kombeve të Bashkuara, Hans Haekkerup. Duke iu drejtuar deputetëve Haeekrup pati thënë se ata do të kenë përgjegjësinë për të siguruar që pajtimi ndëretnik dhe politik të hedhë rrënjë të fuqishme në Kosovë dhe që të gjitha komunitetet të gëzojnë të drejta dhe përgjegjësi të barabarta larg çdo forme të diskriminimit.
Menjëherë pas fjalës së Haekkerup nisën mosmarrëveshjet. Ai ishte i detyruar të ndërprejë fjalën e përfaqësusit të Partisë Demokratike të Kosovës e cila nga ana e saj nuk pranoi të shpallë propozimet e saj për anëtarët e kryesisë së parlamentit, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ndërpartiake për ndarjen e pushteit. Më pas deputetët e kësaj partie u larguan nga salla e kuvendit. Situatë e ngjashme u zhvillua edhe në seancën e fundit. PDK braktisi seancën konstituive pasi që në rend dite parashihej të nominohej për kryetar të Kuvendit lideri i LDK’së, Isa Mustafa që kishte përkrahjen e garantuar të dy subjekteve të tjera, AAK’së dhe Nismës për Kosovën.
E derisa në seancën konstituive të legjislaturës së pestë 85 deputetë qëndruan në sallë për të siguruar kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar i parlamentit, më 10 dhjetor të vitit 2001, 78 deputetët e mbetur në sallë votuan për zgjedhjen e kryesisë së parlamentit dhe kryetarit të tij Nexhat Daci, asokohe përfaqësues i Lidhjes Demokratike, njofton portali Almakos.
Hashim Thaçi kryetar i Partisë Demokratike asokohe kishte shfaqur mospajtimin e tij me trajtimin e deputetëve të kësaj partie, përkatësisht me siç tha ai mënyrën jodemokratike të udhëheqjës së sesionit të parë të parlamentit. Të njëjtën pakënaqësi Thaci vazhdon ta shfaqë edhe sot, thuajse 13 vite pas themelimit të parlamentit.
“Pasi jemi sot në ditën e të drejtave të njeriut 10 dhjetorin, mund të them lirisht para jush, qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që janë këtu në sallë se zoti Hans Haekkerup është ai i cili bëri shkeljen më të rëndë të të drejtave të njeriut sot me 10 dhjetor”, pati deklaruar Thaçi.
Por fjala e Hashim Thaçit ishte ndërpre nga kryetari i parlamentit, ndërsa Ibrahim Rugova, kryetari i ndjerë i Lidhjes Demokratike doli nga salla i ndjekur nga anëtarët e partisë së tij. Rugova me këtë rast kishte deklaruar se puna e parlamentit do të vazhdojë dhe se institucionet e Kosovës do të ndërtohen pavarësisht nga mospajtimet. Sipas tij mospajtimet nuk duhej të shkaktonin tensione në punën e institucioneve të Kosovës.