Kryetari i Partisë Demokratike,LulzimBasha nuk ndan të njëjtin mendim me kryeministrin Rama sa i përket suksesit të qeverisjes së tij 1 vjeçare. Një vit pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend, ato të 23 qershorit të vitit 2013, LulzimBasha tha se Edi Rama duhet t’i kërkonte falje publike qytetarëve në lidhje me mosmbajtjen e premtimeve gjatë fushatës së tij elektorale; për shëndetësinë falas, apo legalizimet falas.
Për më tepër sipas Bashës, sot Rama duhet të ishte kursyer me lavde kundrejt ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, pasi sot janë rritur treguesit e krimit në vend, dhe është e kot të flitet për sukses. Ditën e sotme kreu i PD-së dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, LulzimBasha, ndërsa mori pjesë në konferencën e organziuar: “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territoriale”, tha se modeli i reformës territoriale që propozon sot qeveria e kthen vendin tek modeli i Enver Hoxhës. Basha shtoi se kjo reformë është një përpjekje tjetër për të kapur institucionet e pushtetit vendor. Ai kërkoi dialog me maxhorancën për reformat e nisura, ndërsa shtoi se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë, opozita i fton qytetarët në shesh për të protestuar.
Basha: Qeveria të dialogojë me ne, ndryshe do i presim në sheshe
“Kemi një tavolinë imagjinare të shkëmbimit dhe dialogut. Tavolinë imagjinare, sepse një e vërtetë nuk ekziston. Nuk ekziston sepse nuk ka vullnet, nuk ekziston sepse qeveria e z.Rama dhe z Meta i është nisur detit në këmbë. E ka caktuar në pikënisje se ku do të dalë. Do të dalë tek Enver Hoxha. Pra 36 komitete ekzekutive plus ndonjë bisht për të kënaqur gjoja kriteret e Këshillit të Europës për minoritetet dhe për të bërë ndonjë ndarje të nënës dhe të njerkës në disa prej rretheve të mëdha,” tha Basha, ndërsa shtoi se nëse mazhoranca nuk reflekton, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, do të dalin në sheshe për protesta. “Me atë Kushtetutë do i presim në sheshe për të mbrojtur ngjyrat e lirisë, në rast të kundërt”, tha Basha.
Ndërkohë kryeministri Rama i është përgjigjur opozitës duke thënë s e njësoj si reformën territoriale edhe reformën në drejtësi, e duam gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, me pjesëmarrjen e opozitës, por në të njëtën kohë Rama ka shtuar se: “Do të dëgjojmë këdo, por do të udhëheqim pa u ndalur, para kujtdo.”
Rama: Reformat i duam konsensuale me pjesëmarrjen e opozitës
“Në gjithë anketimin e publikut që ne bëjmë për të dëgjuar rregullisht, sa më qartë, zërin e qytetarëve, dy janë reformat që dallojnë mbi gjithë të tjerat për mbështetjen e madhe që kanë në popull; reforma territoriale, që mbështetet rregullisht midis 75-80 % të popullsisë dhe reforma në drejtësi, për të cilën mbështetja popullore është totale. Reforma Territoriale do ta mbyllë me dinjitet shumë të madh për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, këtë sesion të parë parlamentar. Brenda një sesioni do të kemi kryer një reformë themelore të shtetit , që nuk u bë për 20 vjet. Njësoj si Reformën Territoriale, natyrisht, edhe këtë reformë ne e duam gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, në radhë të parë me pjesëmarrjen e opozitës, por njësoj si Reformën Territoriale, ne do ta çojmë përpara edhe Reformën në Drejtësi, me parimin tonë, të shpallur qysh ditën e parë: “Do të dëgjojmë këdo, por do të udhëheqim pa u ndalur, para kujtdo,” tha Rama për reformat e nisura në vend.













