Demolli tha se Ministria që ai e drejton e ka dorëzuar edhe ligjin për FAK-un, i cili për arsye të ditura nuk ka kaluar në Kuvend.
Demolli tregoi edhe për takimet që i ka pas me përfaqësuesit e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës, rreth formimit të FAK-ut nga të cilët tha se nuk ka marrë asnjë vërejtje.
Ndërkohë, deputetët e pranishëm në Komision përveç përgëzimeve që kishin rreth punës që është bërë në këtë Ministri për formimin e FAK-ut, kishin pyetje pikërisht lidhur me pengesat që i kanë paraqitur pakicat në Kuvend, me theks të veçantë pakica serbe.
Zafir Berisha pati pyetje konkrete nëse Lista Serbe ka pas kërkesa të veçanta dhe kundër Kushtetutës së Kosovës si kusht për ta votuar FAK-un. Por ministri Demolli e kundërshtoi një gjë të tillë. Madje, ai tha se katër kërkesat e këtij komuniteti kanë qenë shumë të arsyeshme.
Ndërsa Pal Lekaj tha se Kuvendi ka dështuar ta procedojë për votim dhe ta votoj Ligjin për FAK-un, kurse ministrin Demolli e pyeti nëse buxhet që ndahet për FSK-në mjafton për ta shndërruar këtë forcë në FAK, apo siç u shpreh ai, deputetët nuk janë të vendosur që ta mbështesin këtë forcë me buxhet.
Demolli u shpreh se buxheti është i mjaftueshëm duke e pas parasysh që për të ofruar siguri në vend Kosova e ka edhe KFOR-in derisa shtoi se buxheti për FSK-në për vitin 2016 ka qenë 49 milionë e 900 mijë, për vitin e ardhshëm është paraparë të jetë 51 milionë e 35 mijë kurse për vitin 2018 është planifikuar të jetë 57 milionë dhe për vitin 2019, 63 milionë euro.






















