Mustafa së bashku me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj pritjeje të posaçme u takua me personalitete të shumta të pranishme, si me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, me Presidentin e Polonisë, të Hungarisë, sekretarin e NATO-së e shumë liderë të tjerë ndërkombëtarë, thuhet në një njoftim nga Qeveria.
Ndërkaq, gjatë ditës, Mustafa, ka zhvilluar takime me kryeministrin e Luksemburgut, Havier Bettel, të cilin e ka informuar për zhvillimet në Kosovë, duke kërkuar përkrahje për proceset integruese evropiane.
Më pas, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Mustafa ka takuar Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme. Mbreti Abdullah theksoi përkrahjen e mëtejme për Republikën e Kosovës.
Gjatë një takimi që kryeministri Mustafa dhe ministri Hoxhaj zhvilluan me ministrin e Jashtëm të Norvegjisë, Borge Brende, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe për përkrahjen e Norvegjisë për rrugën eurointegruese të Kosovës.
Një takim të veçantë, kryeministri Isa Mustafa e zhvilloi me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Iyad bin Amin Madani, i cili shprehu përkushtimin e tij për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Javës së Filmit Shqiptar, e cila u zhvillua në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.
Në këtë video mund të shihni takimet e Mustafës me delegacione të tjera, por jo edhe me presidentin Obama.






















