Vrasja e mbrëmjes së djeshme është e fundit e një zinxhiri ngjarjesh e krimesh të nisura që në 31 mars të vitit të kaluar, kur persona të paidentifikuar ende nga policia, por që duket se janë identifikuar nga vetë personat, kanë dhunuar dhe grabitur një çift të moshuarish në Tepelenë.
Të moshuarit sipas të dhënave janë persona të afërt të kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçit, ndërsa viktima e mbrëmjes së djeshme Elton Çiça është nipi i tij.
Grabitja
Në datën 31 mars 2015, 4 persona me dy makina dhe të maskuar kanë shkuar në shtëpinë e dy të moshuarve dhe pasi i kanë dhunuar kanë grabitur banesën e tyre.
Pas kësaj ngjarjeje, policia bëri të ditur se kishte gjetur dy makinat të cilat dyshohet se kishin përdorur grabitësit, por jo personat që kanë kryer këtë krim.
Kjo ngjarje pasoi me ekzekutime dhe shpërthime tritoli ndaj 4 grabitësve, të cilët dyshohet se i ka organizuar viktima e mbrëmjes së djeshme, si hakmarrje për grabitjen e prindërve.
Ekzekutimi i Robert Ramës
Më 8 qershor 2015 persona ende të paidentifikuar nga policia kanë ekzekutuar me breshëri kallashnikovi në një lokal në zonën e ish- kënetës në Durrës Robert Ramën, një nga personat që dyshohet se kishte marrë pjesë në grabitjen e Tepelenës.
Shpërthimet ndaj Ervis Imerit
Pas ekzekutimit të Robert Ramës, hakmarrja ka nisur ndaj personit tjetër që dyshohej se kishte qenë pjesë e grabitjes së 31 marsit në Tepelenë.
Më 12 korrik 2015, Ervis Imerit (pjesëmarrës i dyshuar në grabitje) iu vendos tritol poshtë makinës në zonën e Kombinatit në Tiranë, por shpërthimi nuk ndodhi. Për këtë arsye disa muaj më pas është organizuar një tjetër atentat me shpërthim, këtë herë ndaj vëllait të Ervis Imerit. Më 8 dhjetor 2015 vëllait të Ervis Imerit, ushtarakut Elton Imeri iu vendos eksploziv poshtë makinës. Ai u plagos rëndë, duke humbur këmbët.
Pistat e hetimit
Për policinë deri më tani pistat e hetimit të policisë në lidhje me këto ngjarje janë ato të hakmarrjes për grabitjen e ndodhur në 31 mars 2015 në Tepelenë. Edhe pse deri më tani ka 2 ekzekutime dhe 2 shpërthime me tritol, edhe pse dihet që ngjarjet kanë lidhje me njëra- tjetrën e që kanë nisur që nga grabitja e ndodhur, policia nuk ka mundur të zbardhën asnjërën prej ngjarjeve të ndodhura, që nuk janë pak, por 5 të tilla brenda 1 viti.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se personi që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, Elton Çiça është nipi i kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi.




















