“ Soji i këtyre ‘shkencëtarëve-profesorëve’ dhe i atyre që kanë blerë prona me pak pare atje ku dëshirojnë ta çojnë kufirin dhe të pamundësojnë lëvizjen e lirë për ata që nuk kanë para të shëtitën me jahte por kanë nevojë të shijojnë liritë themelore që u takojnë, nuk meriton përkrahje”, deklaroi tutje kryeministri.
Por në mesin e këtyre profesorëve të njohur që hedhin dyshimet të forta se demarkacioni i vendosur është gabim, është së fundmi edhe profesori Zeqir Veselaj.
Në fakt, ai një ditë më parë, të premten e 29 korrikut, i hodhi dyshimet e tij gjithashtu në facebook, duke i shoqëruar me disa fotografi.
Kështu, Zeqir Veselaj, profesor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, është intelektuali i fundit që shpreh dyshimet e tij se vija kufitare ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, ka lëvizur në brendësi të territorit kosovar.
Veselaj i cili në vitet 2002-2005 ka qenë edhe këshilltar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka deklaruar në llogarinë e tij në facebook se qysh në vitin 2012 ksihte vërejtur se diçka nuk shkonte në zonën e Kosovës perëndimore në raport me kufirin.
Profesori i cili ligjëron lëndën e Bazave të Shkencave Natyrore me Metodologji, Biodiversiteti dhe Botanika në Fakultetin e Edukimit, nëpërmjet fotografive, ka risjellë në kujtesë një ekspeditë të vitin 2012.
Duke përshkruar fotografitë, profesori Veselaj shprehet se në atë vit, kur tre ekipe prej 30 vetash, të përbërë nga gjeografë, biologë, ekologë, ambientalistë të zonës si Fatos Lajçi që e njeh me pëllëmbë zonën, për rreth nëntë javë kanë ecur nëpër Bjeshkët e Nemuna.
“Ky ishte një projekt i MMPH për të bërë propozimin për zonimin për Planin Hapësinor të Bjeshkëve të Nemuna”, sqaron profesor Veselaj.
“Shikonim terrenin për zonimin dhe konsultonim hartat vazhdimisht si në këto foto por…diçka nuk shkonte!”, shkruan ai, duke dhënë shpjegimin përkatës.
“Edhe fizikisht e kemi vërejtur se kufiri ka lëvizur brenda, por se me arsye apo jo nuk e dinim dhe nuk ishte qëllim i projektit”.
Ai tregon se edhe banorët e zonës së Rugovës shprehnin të njëjtën brengë, raporton lajmi.net.
“Unë që me 2010 e kam paraqitur lëvizjen e kufirit në librin tim ” Bjeshkët e Nemuna- perla natyrore e Kosovës”, deklaron profesori i cili për herë të parë e bën një deklarim të tillë.
“Ju mbetet atyre që kanë ekspertizën të dokumentojnë dhe fuqinë politike të vendosin!”
“Shpresoj të mos pësoj Kosova!”, përfundon profesori Zeqir Veselaj/lajmi.net

























