Partneri më i ri i LAN-it, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se nuk do të nisë bisedimet me Serbinë nëse kjo e fundit nuk e njeh Kosovën shtet. Ish-shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një intervistë për emisionin Rubikon të KTV-së ka thënë se Vetëvendosja nuk do të shkelë mbi marrëveshjen e nënshkruar me LAN-in, por që nuk ka dialog pa njohjen reciproke të të dyja shteteve.
Ymeri i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që të vetëdijesohet dhe të kuptojë se megjithëse ka fituar më së shumti vota, ajo është pakicë parlamentare, dhe të lejojë debatin në Kuvend.
Ngase, sipas tij, me debat dhe fuqizimin e pikës 127 të vendimit të Gjykatës Kushtetues zgjidhet ngërçi politik.
“Vetëm PDK thotë që nuk do të ketë fjalim. Kjo ndalës që po i bëhet deputetëve, është në kundërshtim me rregullat. Pra çdo deputet i ka nga 10 minuta, dhe kjo nuk po ndodhë në seancën e udhëhequr nga Flora Brovina. Aty do të merret vullneti i shumicës së deputetëve. Dihet kush është shumicë dhe pakica po mundohet të e mbaj peng seancën. Nëse Kuvendi ka deputet me vullnet të lirë, atëherë duhet të ketë debat”, tha ai.
Sipas Ymerit, PDK-së nuk duhet t’i lejohet kokëfortësia.
Sipas tij, as Presidentja dhe askush tjetër nuk e gëzon të drejtën që ta dërgojë vendin në zgjedhje dhe se këtë mund ta bëjnë vetëm nëse deputetët votojnë me 2 e 3-at e votave.
“PDK duhet të kuptojë se është pakicë në parlament dhe se askush nuk do të bashkëpunojë me të”, tha Ymeri.















