Historiani i përgjigjet gazetës “Kathimerini” e cila shkruan se kryepeshkopi është në qëndër të sulemeve ekstremiste islamike në Shqipëri
Historiani Pëllumb Xhufi, reagon ashpër ndaj një editoriali të botuar në gazetën greke “Kathimerini”, ku flitet për sulme shqiptare ndaj kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në një intervistë për gazetën “Dita”, Xhufi thotë se kryepeshkopi po përdoret nga grekët si një tjetër “caus belli” kundër Shqipërisë dhe pse ai e ka humbur integritetin e vet, është bërë element konflikti dhe jo paqeje , ndërmjet dy vendeve.
“Për t’i kthyer kusurin Kathimerini”, po them unë se me z.Janullatos në krye të KOASH-it, qarqet nacionaliste greke dhe “Agimi i Artë’ paskan sajuar edhe një tjetër casus belli kundër Shqipërisë, përveç Ligjit të njohur të Luftës që mbahet në fuqi.Në fakt, politika e ka trajtuar kreun e KOASH-it si një lloj “guvernatori” grek të kishës shqiptare.
Si e tillë ai është ‘lulja mos më prek’ në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe kushdo që guxon të shprehë ndonjë kritikë ndaj tij, duhet ta dijë se do të përplaset me zemërimin e greqisë së politikanëve, gazetarëve dhe klerikëve.
Qëkurse ish-Kryeministri Micotaqis i bëri presion ish-Presidentit shqiptar Alia ( më tej Berishës), më 1991, për të pranuar diktatin e tij dhe për të vënë në krye të KOASH-it Anastas Janullatosin, ky i fundit e ka humbur integritetin e vet, është bërë element konflikti, dhe jo paqeje , në marrdhëniet mes dy vendeve. Kryepeshkopi është pasqyrë e një mëkati fillestar, dhe është zgjedhur në atë post nën presionin politik të një shteti të huaj.
Janullatos meriton të gjithë resektin e duhur për postin që ka në KOASH, por ai nuk është perëndi e nuk mund të jetë i paprekshëm, aq më shumë nuk mund të jetë një monument që ruhet nga shteti grek. Për rolin që ka marrë përsipër, ai duhet të mësohet të njohë më mirë shqiptarët, të respektojë historinë, kulturën dhe ndjenjat e tyre”, tha Xhufi.
Profesor Xhufi u bë pjesë e një debate para një aktiviteti që po zhvillohej nën drejtimin e kryepeshkopit Janullatos në përkujtim të Shën Kozmait.
Për këtë debat, Xhufi thekson se:“Këtu përfundon polemika ime me z.Pantoulas: Misioni i historianit është ta ndajë të vërtetën nga mitet, qoftë edhe kur mitet “adhurohen” nga populli , siç thotë ai”, thotë Xhufi.
















