Nëse dëshirojnë të merr fund diskriminimi në Maqeodni, shqiptarët duhet të marrin ose postin e ministrit të financave, ose atë të Drejtorit të Entit Shtetëror për Statistikë, vlerëson Xhezair Shaqiri, i njohur në vitin 2001 si Komandant Hoxha.
“Themelet e diskriminimit të shqiptarëve janë te mosndarja proporcionale e buxhetit shtetëror dhe falsifikimi i të dhënave statistikore për numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Kur të përmirësohen këto dy gjëra, atëherë shqiptarët do të barazohen me maqedonasit. Kjo nuk do të ndodhë brenda nate, por me marrjen e këtyre institucioneve, do të bëhen hapat e parë për të përmirësuar diskriminimin. Kuptohet se duhet të bëhet edhe ndryshime të nevojshme kushtetuese dhe ligjore që buxheti të miratohet me konsensus”, thotë Shaqiri.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 27 prillit, ai është prononcuar vetëm përmes rrjeteve sociale. Pas një kohe të gjatë ai ka folur drejtpërdrejtë me gazetarin e “Lajm”, duke komentuar edhe mozgjedhjen për deputet si bartës i listës së RDK-së në njësinë numër 2.
“Nëse shqiptarët kanë vlerësuar se unë, si një ndër njerëzit e parë që e filluam luftën e vitit 2001, duhet të rri në mal, kurse ata që gjatë kësaj lufte ikën refugjatë duhet të jenë në Palrament, atëherë e respektoj vendimin e tyre. Problemi nuk është për një person a shkon në Parlament apo nuk shkon. Miëpo mendoj se si pasojë e zgjedhjeve të personave të gabuar neve vazhdimisht po na ndodhin raste si Monstra, Sopoti, Brodeci, Radusha dhe pas këtyre rasteve nuk po ka njerëz të vendosur të cilët po mbrojnë shqiptarët. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit mua nuk më kanë bë pesimist. Do të vazhdoj të veproj për kombin tim, sepse jam i sigurt se shumë vota ndoshta edhe më janë vjedhur, njëjtë si herave tjera”, thekson Xhezair Shaqiri-Hoxha.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të kryeministrit Nikolla Gruevski, drejtuar “provokatorëve të imët”.
“Shqiptarët nuk duhet të bien pre e këtyre provokimeve, sepse unë mendoj se në atë mënyrë Gruevski me partnerin e tij Ali Ahmeti, dëshirojnë të shkaktojnë revoltë që ne të ndërmarrim hapa të paparamenduar mirë dhe të mund të na akuzojë para botës se jemi faktor destruktiv”, konstaton komandant Hoxha.
















