Mediat kanë rihapur këto ditë një diskutim në lidhje me vdekjen e Hysni Kapos.
Në një intervistë për Panoramën, ish-mjeku personal, Dine Abazi thotë se ai ishte i sëmurë nga zemra dhe nga diabeti.
Ndërkohë ai thotë se kanceri në pankreas iu shfaq papritur.
Por Xhelil Gjoni, ish-sekretar i Parë i PPSH-së për Tiranën dhe kunat i familjes Kapo, thotë për Panoramën se në klinikën franceze, Kapos iu bë një kurim çnjerëzor.
Ai ka dyshime se Kapo mund të jetë eliminuar.
“Nëse do të sjell në vëmendje një deklaratë të Nesti Nases, do që thosha se nuk përjashtohet dhe eliminimi i tij. Në gjyqit kundër Kadri Hazbiut, ish-ministri i Jashtëm, Nesti Nase tha se Andropovi, kreu i KGB-së dhe ministër i Brendshëm i Bashkimit Sovjetik i ishte shprehur se rruga për të eliminuar Enver Hoxhën ishte duke eliminur Hysni Kapon. Nestin nuk e detyroi kush ta thoshte këtë deklaratë në gjyqin që i bëhej atij”.
I pyetur nëse mendon se mjekët francezë kanë qenë të kompromentuar nga agjenturat, Gjoni thotë: “Herën e dytë, shoku Enver dërgoi Ramiz Alinë në Paris që të qëndronte pranë Hysni Kapos. Por rezultoi se Ramizi mori vajzën e tij dhe nuk u mor fare me Hysniun. Por di që Hysniu nuk e afroi fare, i qëndroi ftohtë. Gjithashtu Hysniun e shoqëronte edhe Llambi Ziçishti. Hysniu kishte kërkuar që të operohej në Shqipëri me Petri Gaçen, por mjekët francezë këmbëngulën që ai të shkonte në Paris. Madje Petrit Gaçen e nxorën jashtë operacionit në Paris. Nuk të thonë gjë këto fakte ty??”















