Sot aty ndodhet objekti i ish hotel Bozhurit që pas privatizimit nga Behgjet Pacolli, u emërua “Diamond”, mirëpo në fotot e shfaqura tash së fundmi në rrjetet sociale figuron se shumë kohë më parë në të njëjtin vend ndodhej xhamia “Junus Efendi”.
Mirëpo debati midis komentuesve është përqendruar nëse xhamia ndodhej në vendin ku sot është hotel “Swiss Diamond” apo aty ku është ngritur Teatri Kombëtar?
Kjo zbulohet nga një perspektivë tjetër e një fotoje, ku Teatri Kombëtar ndodhet midis ndërtesës së ish hotel “Unionit” dhe xhamisë.
Jo shumë kohë më parë, gjatë punimeve në sheshin e Prishtinës u zbulua një çeshme e vjetër e që i përkiste xhamisë së rrënuar, “Junus Efendi”, e cila ndryshe njihej me emrin “Xhamia e Llukaçit” që konsiderohet se ishte ndërtuar në shekullin e XVI.
Kjo xhami ishte rrënuar nga sistemi jugosllav në vitin 1954, ndërsa në vendin e saj, gjykuar nga fotot, është ngritur ish hotel Bozhuri, tani “Swiss Diamond”.
Ndërsa, në vitin 2009 hotel Unionit, i vjetër 87 vjet, i ishte vënë zjarri qëllimshëm. Ai ishte shitur nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit në vlerë prej 3 milionë e 200 mijë eurosh.














