Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, mori pjesë të hënën në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës dhe nisjes së vitit të ri akademik
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Wilton tha se sistemi i drejtësisë, ashtu si karriera në drejtësi, është udhëtim, dhe e ilustroi këtë me një shembull nga vendi i tij, Britania e Madhe, ku edhe 800 vjet pas Magna Carta-s, vijon të bëhen reforma.
“Kështu që, mos u shqetësoni nëse reforma në drejtësi nuk përfundon deri në fund të vitit në Shqipëri. Është më e rëndësishme që puna të bëhet me cilësi dhe jo me ngut. Reforma e suksesshme në drejtësi është, as më shumë dhe as më pak, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e këtij vendi në të ardhmen”, tha ai.
Duke folur për reformën në drejtësi, ai tha se “suksesi i saj nuk do të vendoset nga ligjet në letër, por nga përvojat e përditshme të qytetarëve në sallat e gjyqit anembanë Shqipërisë”.
Ai i nxiti studentët e sapodiplomuar të Magjistraturës të marrin anën e duhur në betejën mes integritetit dhe korrupsionit.
“Për ata që zgjedhin anën e duhur në këtë përballje midis integritetit dhe korrupsionit, shpërblimi do të jetë i madh dhe afatgjatë. Në një sistem të drejtë, suksesi fitohet përmes talentit, jo përmes parave që njëri i paguan tjetrit”, tha ai.
Po ashtu, Wilton i nxiti të sapodiplomuarit që, si gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm, të tregojnë interes për çfarë ndodh në Kuvend dhe të luajnë rolin e tyre.
“Ngjarjet në Kuvend do të ndikojnë te ju dhe ju gjithashtu, duhet të ndikoni tek ato”, tha Wilton.
“Keni zgjedhur drejtësinë si profesion në një çast kritik në historinë e vendit. Zgjedhja juaj ju vë përpara përgjegjësive dhe mundësive të mëdha.
Duke nisur këtë profesion në këtë çast kritik keni mundësinë, unike për brezin juaj, t’i jepni formë të ardhmes. Jeni ju që vendosni nëse ky vend do të dështojë apo nëse do të ketë sukses”, vijoi Wilton.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, tha se OSBE-ja është një nga organizmat ndërkombëtarë që ka luajtur një rol vendimtar në suksesin e Shkollës së Magjistraturës.
Prezenca e OSBE-së ka qenë aktive në prapavijë në mbështetje të Shkollës së Magjistraturës dhe mbetet aktive në çdo nivel të sektorit të drejtësisë, nga diskutimet strategjike për reformën deri te puna për të ndihmuar gjyqtarë individualë në çdo sallë gjyqi, që të japin drejtësi në mënyrë më efikase.
Në ceremoni folën edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Xhezair Zaganjori, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin.
















