Gara e fotografisë “Wiki Loves Monuments”, e organizuar nga FLOSSK dhe Open Labs, ka përzgjedhur dje fotografitë fituese të konkursit. Janë dhjetë fotografi nga Kosova dhe dhjetë nga Shqipëria që janë përzgjedhur për këtë konkurs. Gjithashtu janë shpallur edhe fituesit e 40 vendeve të tjera që bëjnë pjesë në Wiki Loves Monuments. “Fotografitë i janë bashkëngjitur fituesve nga 40 vende tjera. Besojmë që këto foto do i përfaqësojnë denjësisht vendet tona. Ende po punojmë në organizimin e ekspozitave, duke nisur nga Kosova”, kanë thënë organizatorët.
Wiki Loves Monuments është një konkurs ndërkombëtar fotografish të monumenteve, i organizuar nga Wikimedia këtë shtator. Wikimedia është fondacioni prapa Enciklopedisë së Lirë Wikipedia – një bashkëpunim global me autor vullnetarë nga e gjithë bota. Për Shqipërinë janë zgjedhur fotografitë: Parku Arkeologjik i Apolonisë, nga Pudelek; Teatri i Butrintit, nga Ina Myrtollari; Banesa Zapanaja e Zekatëve, nga Malenki; Godina e Kishës së Shën Triadhës, nga Tori Oseku; Shtëpi tradicionale në Kalanë e Beratit, nga Roland Giesser; Kalaja e Krujës, nga Pudelek; Kalaja e Petrelës, nga Enrik Hysko; Amfiteatri i Durrësit nga Pudelek; Parku Arkeologjik i Apolonisë, nga Ina Myrtollari dhe Kisha e Shën Todrit, nga Arben Llapashtica.

















