Gazeta prestigjioze Washington Times, akuzon drejtëpërsëdrejti Edi Ramën dhe Saimir Tahirin për presion kundrejt drejtësisë shqiptare. Madje Jason Katz, del në përfundimin se është pikërisht Rama, që po e pengon tërthorazi një reformë të mirëfilltë në drejtësi.
Kapitulli i fundit, njëri prej të cilëve për fat të keq ka përfshirë edhe një vend anëtar të NATO-s si Italia, rrotullohet rreth një dyshimi të paligjshëm përgjimesh të opozitës shqiptare, zyrtarëve qeveritarë, ambasadave dhe diplomatëve të partnerëve kyç të Tiranës.Fillesa e kësaj historie përfshin faktin lehtësisht të verifikueshëm se policia italiane huazoi te homologët e tyre shqiptarë “IMSI-catcher”, një pajisje e sofistikuar përgjimi. Sipas zyrtarëve italianë, pajisja është dhënë borxh për qëllime trajnimi.
Sipas “Wikipedia”-s “një ‘IMSI-catcher’ është një pajisje përgjimi telefonash e cila përdoret për të kapur trafikun e celularëve dhe gjurmuar lëvizjen e përdoruesit të telefonit. Në thelb, ajo është një antenë “false” telefonike, e cila vepron mes telefonit të përgjuar dhe antenave që ofrojnë shërbimin celular. Ajo konsiderohet një sulm i një personi të tretë i njohur me termin “a man-in-the-middle” (MITM). “IMSI-catcher”-at përdoren në disa vende nga agjencitë e zbatimit të ligjeve dhe shërbimeve sekrete. Por përdorimi i tyre ka shtuar shqetësimet për lirinë dhe privatësinë dhe rregullohet në mënyrë strikte në disa vende.
Në përgjigje të akuzave të fundit, kryeprokurori i Përgjithshëm nisi atë që është përshkruar si një hetim i plotë dhe i shtrirë. Bazuar në faktet e pazbuluara nga hetimi, prokurori i Përgjithshëm kërkoi pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, mbi faktet e dyshimit për abuzim me detyrën dhe përgjime të paligjshme.
Një gjykatë shqiptare e pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi nën arrest shtëpiak edhe dy zyrtarë të tjerë të lartë derisa të përfundojnë hetimet. Këtë e bëri për të ruajtur standardet demokratike dhe moderne.
Në një reagim të zemëruar, zoti Rama dhe aleati i tij politik, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kritikuan me nota të ashpra prokurorët për ndjekjen penale ndaj zotit Çako dhe përsëritën dhe sulmuan publikisht gjykatësin e çështjes për vendimin e tij nga karrigia. Ky që dukej një sulm frontal mbi sundimin e ligjit mund ta parandalojë pranimin e Shqipërisë në BE, të paktën nën lidershipin aktual.
Zoti Tahiri e dënoi publikisht kryetarin e trupës gjykuese të çështjes, Arjan Aliajn dhe e akuzoi atë me egërsi për lirimin e vrasësve dhe përdhunuesve për përfitime politike.
Për më tepër, në atë që dukej një përpjekje për të nxitur enutuziazmin populist, zoti Tahiri e akuzoi gjykatësin Aliaj se ishte një gur shahu “i atyre që kërkonin të pengonin dhe frenonin reformën në drejtësi”. Sidoqoftë, lajmet thonë se është zoti Rama ai që po i zvarrit reformat gjyqësore duke u përpjekur që të përjashtojë opozitën nga negociatat.















